
Zëvendësministrja e Infrastrukturës e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se më 26 gusht do të vendoset gurthemeli i fazës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë.
Lajmin, Zekolli Shaqiri e bëri të ditur pas takimit me Ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës, Dimal Basha, me të cilin diskutoi për projektet strategjike infrastrukturore dhe forcimin e lidhjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Në fokus të takimit ishin autostrada Shkup–Bllacë dhe rruga Tetovë–Prizren, projekte që, sipas Zekolli Shaqirit, do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e qarkullimit dhe lidhjeve mes dy vendeve.
“Bashkëpunimi ynë me Kosovën vazhdon të përkthehet në projekte konkrete, duke krijuar lidhje më të shpejta, më të sigurta dhe më të fuqishme mes dy vendeve”, ka shkruar Zekolli Shaqiri në postimin e saj.
Vendosja e gurthemelit të fazës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë pritet të shënojë një hap të rëndësishëm drejt kompletimit të kësaj lidhjeje të shumëpritur infrastrukturore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës./Gazeta10