
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se protesta dhe qëndrimi i opozitës para Qeverisë së Kosovës po vazhdon për të gjashtën ditë me radhë, duke theksuar se nuk do të ndalen deri në konstituimin e institucioneve të vendit.
Musliu tha se kërkesa e tyre është rikthimi i kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe sovranitetit të shtetit.
“Jemi këtu sot për të gjashtën ditë me radhë dhe nuk do të ndalemi deri në arritjen ose realizimin e kërkesës sonë për të kërkuar te secili vetëkthimin e kushtetutshmërisë së Kosovës, ligjshmërisë dhe sovranitetit të shtetit. Kosova ka nevojë sot më shumë se kurrë që të ketë institucione funksionale, institucione kredibile, njerëz të përgjegjshëm që i drejtojnë ato”, tha Musliu.
Musliu falënderoi edhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për pjesëmarrjen në këtë aksion dhe i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj, Albin Kurti, që të reflektojnë.
Asambleistja e PDK-së në Vushtrri, Vlera Tahiri, ka kërkuar funksionalizimin e institucioneve të Kosovës, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të mbeten peng i ngërçit politik.
“Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të funksionojnë. Qytetarët kanë votuar, deputetët e kanë marrë mandatin e tyre, tani është koha e përgjegjësisë politike. Kosova nuk duhet të mbetet më në pritje. Çdo ditë e humbur në këtë ngërç, është një ditë më pak për zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve. Për ekonominë, për arsimin, shëndetësinë, bizneset dhe të ardhmen e të rinjve tanë. Ne sot kemi ardhur dhe nga Vushtrria. Nga një komunë me qytetarë punëtorë, me biznese, me të rinj dhe me potencial të jashtëzakonshëm. Por që nuk po e merr vëmendjen e duhur nga qeveria as mbështetje prej saj. Vushtrria ka nevojë për investime, për projekte zhvillimore dhe për një qeveri që i trajton komunat dhe qytetarët me përgjegjësi. Qytetarët e Vushtrrisë nuk duhet të ndihen të lënë anash.”, tha ajo.
Tahiri tha se funksionalizimi i Kuvendit është i domosdoshëm për të adresuar problemet e qytetarëve dhe për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet.