Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Krasniqi i kundërpërgjigjet Sazan Ibrahimit: Paratë nuk u morën nga komunat, u kthyen përmes investimeve

Gazeta10
22 August 2026 - 21:39

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, lidhur me mbështetjen financiare për komunat.

Krasniqi ka thënë se kur mungojnë faktet, mbeten vetëm akuzat, duke theksuar se buxheti i ndarë për komunat është rritur nga 546 milionë euro në vitin 2021, në 907 milionë euro që parashihet për vitin 2027.

Sipas tij, kjo paraqet një rritje prej 66 për qind.

“Këto mjete nuk u zhdukën dhe nuk u morën nga ministria. Ato përsëri u kthyen në komuna, përmes projekteve investuese që synojnë përmirësimin e drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka thënë se Qeveria, duke u mbështetur në legjislacionin për menaxhimin e financave publike, ka vendosur që 25 për qind e mjeteve të mbetura të orientoheshin në një program tjetër investimesh, për shkak të rrezikut që disa komuna me kapacitete më të kufizuara administrative të mos arrinin t’i shpenzonin fondet brenda afateve.

Krasniqi ka kritikuar gjithashtu Asociacionin e Komunave, duke thënë se ai duhet të përfaqësojë të gjitha komunat.

“Asociacioni duhet të jetë zë i 38 komunave, jo zë selektiv i disa prej tyre. Interesat e komunave mbrohen me investime e projekte zhvillimore, jo me deklarata puro politike”, ka thënë ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.