Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Pas anulimit të takimit me Kurtin, komandanti i KFOR-it pret në takim shefin e NATO-s në Sarajevë

Gazeta10
22 August 2026 - 22:07

Pak orë pasi KFOR-i njoftoi se takimi i planifikuar ndërmjet komandantit të misionit, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti nuk u zhvillua, Ulutaş ka zhvilluar një takim me komandantin e Shtabit të NATO-s në Sarajevë, gjeneral brigade James C. Fowler.

Takimi mes dy zyrtarëve ushtarakë është mbajtur në Shtabin e KFOR-it, në kampin “Film City”, ndërsa në fokus ka qenë situata e sigurisë në rajon dhe zhvillimet që lidhen me misionet e NATO-s në Ballkan, transmeton lajmi.net.

Sipas KFOR-it, gjatë takimit Ulutaş ka riafirmuar përkushtimin e misionit për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it ka prezantuar gjithashtu aktivitetet që misioni po zhvillon në terren, si dhe prioritetet kryesore të tij.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes; në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Takimi vjen në një ditë kur ishte paraparë edhe një takim ndërmjet Ulutaş dhe Kurtit, por KFOR-i konfirmoi se ai nuk u mbajt për shkak të “rrethanave të paparashikuara”.

Misioni i NATO-s nuk dha më shumë detaje për arsyet e anulimit, duke theksuar vetëm se komandanti Ulutaş vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Në këtë kontekst, takimi i Ulutaş me gjeneralin Fowler është zhvilluar ndërsa çështjet e sigurisë në rajon dhe aktivitetet e KFOR-it mbeten në fokus të misionit të NATO-s në Kosovë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.