
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar se ka planifikuar për të enjten mbajtjen e takimit të 371-të, pas dështimit të dy takimeve paraprake konkretisht ai i datës 24 korrik dhe tjetri i 7 gushtit 2026.
Sipas agjendës së takimit, në rend dite janë 35 pika, ndër to edhe zgjedhja e zëvendëskryesuesit, shqyrtimi i kërkesës së U.D Presidentes dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve, si dhe shpallja e konkursit për Kryetar të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Kujtojmë se u.d Presidentja Albulena Haxhiu përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 tek kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
“Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, thuhej ndër të tjera në letër.
Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e mbajtur më 20 korrik 2026 ka refuzuar tëheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb brenda sistemit prokurorial, duke i dërguar tek u.d Presidentja për lirim nga detyra.
Haxhiu një ditë më pas (21 korrik) njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirim nga detyra të shtatë prokurorëve serb, të cilët kishin ofruar dorëheqjet më 2022.
Vendimi i KPK-së dhe Haxhiut, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se janë në kundërshtim me ligjin.
“BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i ushtrueses së detyrës së Presidentes, që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, thuhej në reagim.