
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas nisjes së punimeve në autostradën Shkup-Bllacë, duke akuzuar VLEN-in se po e paraqet si sukses të vetin një projekt të përgatitur dhe tenderuar nga qeveria e kaluar e Maqedonisë së Veriut, por që, sipas BDI-së, tash do të kushtojë rreth 30 milionë euro më shumë.
Kjo parti pretendon se projekti ishte përfunduar më 2 maj 2023 dhe ishte tenderuar po atë vit me vlerë rreth 183 milionë euro, ndërsa pas më shumë se dy vjetësh vonesë, autostrada prej rreth 10 kilometrash pritet të ndërtohet për, siç thuhet, rreth 210 milionë euro.
“Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si ‘tepër të shtrenjtë’ dhe ‘të papërshtatshëm’. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro, apo afërsisht 21 milionë euro për kilometër”, thuhet në reagimin e BDI-së, transmeton KosovaPress. “Projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë. Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve”, pretendon BDI.
Kjo parti i ka kërkuar VLEN-it të sqarojë arsyet e vonesës së projektit dhe rritjes së pretenduar të kostos.
“VLEN duhet t’i përgjigjet opinionit: pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?”, thuhet në reagim.
BDI e ka cilësuar vonesën dhe rritjen e pretenduar të kostos si pasojë të “paaftësisë dhe keqmenaxhimit” të VLEN-it, duke thënë se qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë për realizimin e autostradës Shkup-Bllacë.
Punimet e autostradës Shkup-Bllacë u inauguruan sot dhe në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.