
Disa institucione në qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë pranuar mëngjesin e sotëm e-mail kërcënues, në të cilin pretendohej se në objektet e tyre ishin vendosur bomba.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se mesazhi me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste është dërguar në adresat elektronike të disa institucioneve nga një adresë ende e paidentifikuar.
Pas pranimit të informacionit, kanë nisur menjëherë verifikimet në institucionet e përfshira në kërcënim.
“Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë së Shtetit, nga kontrollet e kryera deri më tani nuk është gjetur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, po punojnë për identifikimin e autorit dhe adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, duke theksuar se strukturat e saj janë të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e paligjshmërive./KP