Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Tenderi për kandidatin për President, Ministria e Drejtësisë: S’bëhet fjalë për përfitim personal, angazhimi erdhi nga firmat ndërkombëtare

Gazeta10
01 September 2026 - 12:28

Avokatura Shtetërore, një agjenci që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ka reaguar ndaj raportimeve për përfitimin e kandidatit për President, Bekim Sejdiu, nga një tender i kësaj ministrie, duke i cilësuar si të pasakta dhe tendencioze raportimet.

Në reagim, thuhet se “bëhet fjalë për një angazhim profesional” të Sejdiut, “në kuadër të dy proceseve të arbitrazhit ndërkombëtar”.

“Avokatura Shtetërore, agjenci në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë sqaron opinionin publik lidhur me të pavërtetat dhe konstatimet e pasakta të paraqitura në shkrimin e publikuar me titullin “Paraja dhe Presidenti – Bekim Sejdiu para katër muajsh fitoi tender në Ministrinë e Donika Gërvallës” dhe për raportimet e djeshme në mediat e tjera lidhur me këtë temë”.

“Pretendimi se Prof. Dr. Bekim Sejdiu ka “përfituar një tender në Ministrinë e Drejtësisë” është tendencioz dhe paraqet në mënyrë të shtrembëruar natyrën e angazhimit dhe procedurën përmes së cilës është bërë ai. Në rastin konkret, bëhet fjalë për një angazhim profesional në kuadër të dy proceseve të arbitrazhit ndërkombëtar, i propozuar nga firmat ndërkombëtare që mbrojnë interesat e Republikës së Kosovës dhe i realizuar në përputhje me rregullat e prokurimit publik”, thuhet në reagim.

Ministria tha se “operatori ekonomik në fjalë, ;Legalis SSM L.L.C’, është i angazhuar në dy procese të arbitrazhit ndërkombëtar, në të cilat përfaqësohen dhe mbrohen interesat e Republikës së Kosovës”.

“Në rastet e arbitrazhit ndërkombëtar, firmat ndërkombëtare të avokatisë përcaktojnë llojin e ekspertizës së nevojshme dhe profilin e ekspertit vendor, varësisht nga natyra e çështjes dhe nevojat e procesit. Në këtë rast, propozimi për angazhimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut si ekspert vendor ka ardhur nga firmat ndërkombëtare të avokatisë që përfaqësojnë Republikën e Kosovës në këto procese. Për rrjedhojë, paraqitja e këtij angazhimi si një “tender i përfituar nga Ministria e Drejtësisë”, me qëllim apo në funksion të ndonjë përfitimi të veçantë personal, është e pasaktë dhe krijon një perceptim të pavërtetë te opinioni publik”, thuhet në reagim.

Avokatura Shtetërore tha se “në vazhdimësi ka angazhuar ekspertë vendorë në procedura te arbitrazhit, duke përfshirë edhe profesorë universitar të profileve të ndryshme dhe në çdo rast janë ndjekur të njëjtat procedura”.

“Kësisoj, sqarojmë se e gjithë procedura e angazhimit të ekspertëve është zhvilluar në përputhje me rregullat dhe procedurat e prokurimit publik, ndërsa kontratat përkatëse janë kontrata kornizë për ofrimin e shërbimeve profesionale në kuadër të proceseve të arbitrazhit ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

Për informimin e opinionit publik, Avokatura Shtetërore thotë se “kontratat kornizë përfshijnë shërbime që mund të kryhen brenda një periudhe dyvjeçare dhe nuk nënkuptojnë se e gjithë shuma e përcaktuar në kontratë paguhet automatikisht. Pagesat realizohen vetëm për shërbimet profesionale të kryera në kuadër të proceseve përkatëse të arbitrazhit, të cilat mund të përfshijnë përgatitjen e ekspertizave të shkruara, përgjigjet ndaj argumenteve dhe pretendimeve të palës kundërshtare, pjesëmarrjen në seanca të arbitrazhit, si dhe shërbime të tjera profesionale të ndërlidhura me rastin”.

“Po ashtu, shumat të cilat janë të përfshira në kontratën kornizë, nuk paraqesin pagesa vetëm për ekspertin vendor. Një pjesë e madhe e kësaj shume është dedikuar për ekspertët ndërkombëtarë, të dhënat e të cilëve nuk mund të bëhen publike për shkak të rregullave të konfidencialitetit në procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar ndaj transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik dhe vlerëson se raportimi për çështje të interesit publik duhet të mbështetet në fakte të plota dhe në paraqitjen e saktë të procedurave institucionale”, thuhet në reagim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.