
Greva e punëtorëve teknikë po lë pasoja edhe në shkollat e vendit, ku mungesa e mirëmbajtjes dhe pastrimit po krijon kushte jo të përshtatshme për nxënësit.
Një situatë e tillë është raportuar në shkollën “Ismail Qemali”, ku nxënësit janë duke zhvilluar mësimin në ambiente të papastruara, si pasojë e grevës së punëtorëve teknikë.
Pamjet nga njëra prej klasave tregojnë gjendjen e krijuar, ndërsa nxënësit po vazhdojnë procesin mësimor pavarësisht kushteve jo të përshtatshme.
Sipas burimeve të Kanal 10, situata ka shqetësuar edhe prindërit e nxënësve. Ata kanë paralajmëruar se, nëse gjendja vazhdon dhe nuk gjendet një zgjidhje, mund të bojkotojnë mësimin duke mos i dërguar fëmijët në shkollë.
Prindërit kanë kërkuar që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa për të siguruar kushte të përshtatshme për nxënësit dhe për të mos lejuar që greva të ndikojë më tej në procesin mësimor.
Ndërkohë, greva e punëtorëve teknikë vazhdon, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të gjendet një zgjidhje për kërkesat e tyre./Gazeta10