
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të LDK-së, në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në situatën e fundit në Kuvend dhe procesin e konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Abdixhiku e ka njoftuar Prattipatin për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën politike, duke ritheksuar, siç thuhet në njoftim, përkushtimin e partisë për mbrojtjen e interesit të Republikës së Kosovës, funksionalitetin e institucioneve dhe stabilitetin institucional.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për rëndësinë e tejkalimit të situatës aktuale politike dhe krijimit të kushteve për funksionim të qëndrueshëm dhe demokratik të institucioneve të vendit.
Në fund, Abdixhiku ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës, duke vlerësuar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe thellimit të tij./Gazeta10