
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar zhvillimet e së premtes në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e partisë së tij nuk votuan pro kandidatëve të PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit.
Seanca konstituive u ndërpre dy herë, pasi nuk u arrit zgjedhja e nënkryetarëve dhe rrjedhimisht as përfundimi i konstituimit të Kuvendit.
Kurti tha se për këtë çështje duhet të zhvillojë një takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar rreth një emri që do të ishte i pranueshëm për Vetëvendosjen për pozitën e nënkryetarit që i takon PDK-së.
“Partisë Demokratike të Kosovës për ta zgjedhur nënkryetarin nga radhët e saj i nevojiten votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Nevojitet mungesa e bojkotit apo edhe vota kundër e PDK-së, atyre iu nevojitet vota e jonë për, neve na kryen punë edhe vota e tyre kundër. Kjo tregon që ka shumë arsye që të takohemi”, tha Kurti.
Ai u shpreh i pakënaqur që Hamza nuk i është përgjigjur mesazhit të tij për takim.
“Më vjen keq që kryetari i PDK-së nuk më është përgjigjur në mesazh për takim, por këtë e ka bërë publikisht duke thënë që s’kemi nevojë për takim. Unë besoj që kemi nevojë për takim”, tha ai.
I pyetur se pse Vetëvendosje ishte kundër kandidaturës së Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit, Kurti përmendi qëndrimet e saj të mëparshme ndaj disa kandidateve dhe deputetëve të VV-së.
“Ju e dini që vitin e kaluar Vlora Çitaku pat kërkuar që Albulena Haxhiu të tërhiqet, sivjet pati kërkuar që zonja Feride Rushiti të tërhiqet, pardje Vlora Çitaku e bojkotoi votimin e Albulena Haxhiut për kryetare dhe njëkohësisht ka paralajmëruar bojkotin për zgjedhjen e Presidentit”, tha Kurti.
Megjithatë, ai tha se Vetëvendosje do të votojë për një deputet të PDK-së për nënkryetar, ashtu siç do të votojë edhe për një kandidat të LDK-së.
“Me doemos një deputet të PDK-së do ta votojmë për nënkryetar dhe njëjtë edhe për LDK-në”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk përcaktojnë se duhet të ketë vetëm një emër të caktuar për këto pozita.
Kurti tha se pret që deri të dielën të ketë një qasje tjetër nga partitë politike, në mënyrë që të mundësohet konstituimi i Kuvendit.