
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka pritur të premten në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Gjini ka bërë të ditur se me Prattipatin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
“E njoftova znj. Prattipati për qëndrimin e Aleancës dhe përkushtimin tonë të palëkundur në mbrojtje të interesit të shtetit dhe demokracisë. Në këtë kohë sfidash, Aleanca e konsideron përgjegjësi të mos lejojë cenimin e të arriturave të Kosovës dhe asnjë hap prapa në rrugën e saj euroatlantike”, ka deklaruar Gjini.
Ai tha se gjatë takimit e ka falënderuar Prattipatin për rolin e saj aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova.