
Një aksident i rëndë rrugor në një prej akseve kryesore të Afrikës së Jugut ka lënë të vdekur 21 persona dhe katër të tjerë të plagosur rëndë.
Përplasja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës në autostradën N1, në provincën Western Cape, rreth 380 kilometra në lindje të Cape Town, shkruan Aljazeera.
Sipas policisë, në aksident u përfshinë dy minibusë tip Toyota dhe një automjet tip SUV Suzuki.
Fillimisht, 18 persona u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa tre të tjerë humbën jetën pasi u transportuan në spital.
Autoritetet paralajmëruan se bilanci i viktimave mund të ndryshojë, ndërsa ekipet e emergjencës dhe autoritetet vijojnë vlerësimin e situatës në vendngjarje.
Ngjarja është një tjetër aksident i rëndë që trondit Afrikën e Jugut brenda pak ditësh. Të dielën, një përplasje pranë qytetit Ermelo, në provincën Mpumalanga, la të vdekur tetë persona.
Aksidentet me pasoja fatale janë një problem i përsëritur në vend. Sipas Ministrisë së Transportit të Afrikës së Jugut, gati 11,500 persona humbën jetën në aksidente rrugore gjatë vitit 2025.
Në vitin 2023, një përplasje ballore mes një autobusi turistik dhe një kamioni të transportit të parave në provincën Limpopo shkaktoi 20 viktima dhe të paktën 60 të plagosur.
