
Familja e Idriz Rrecit ka bërë të ditur se janë njoftuar zyrtarisht nga institucionet e Kosovës për mbetjet mortore të gjetura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Në njoftimin e djalit të tij, thuhet se në mesin e intelektualëve, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur është identifikuar edhe Idriz Rreci. Mes tjerash, djali i tij ka thënë se pyetjes “Ku është Idriz Rrecaj?”, i erdhi fundi dhe se pas 27 vitesh kanë marrë përgjigjen e pritur gjatë.
“Pas 27 vitesh pritje, dhimbje dhe pasigurie, morëm lajmin nga institucionet tona që nga laboratori i ADN-së në Hagë është konfirmuar zyrtarisht identifikimi i prindit tim, Idriz Rrecaj. Pyetjes “Ku është Idriz Rrecaj?” i erdhi fundi. Pas 27 vitesh, më në fund kemi përgjigjen që e kemi pritur për kaq gjatë. Mirënjohje të thellë për të gjitha institucionet e shtetit dhe për çdo person që ka punuar ndër vite për zbardhjen e fatit të tij dhe të personave të zhdukur”, thuhet në njoftimin e djalit të Idriz Rrecit, Shpëtim Rreci.
Dje, kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e 3 viktimave të luftës, të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.