
Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës e ka dënuar sulmin fizik ndaj një infermiereje të një qendre të mjekësisë familjare në kryeqytet.
Infermierja u sulmua ”gjatë ushtrimit të detyrës, teksa po ofronte shërbim shëndetësor në shtëpinë e një pacienti në lagjen Kalabria”, thuhet në njoftim.
“E dënojmë fuqishëm këtë akt dhune ndaj punonjëses sonë shëndetësore. Sulmi ndaj profesionistëve që janë në detyrë për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për qytetarët është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë. Siguria dhe dinjiteti i tyre janë të panegociueshme”, thuhet në reagimin e Komunës.
Drejtoria e Shëndetësisë konfirmoi se “rasti është raportuar dhe po trajtohet nga Policia e Kosovës dhe organet kompetente”.
“Qytetarë të nderuar, bëhet fjalë për një rast të izoluar, i cili nuk do të ndikojë në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Shërbimet në terren do të vazhdojnë normalisht, pa ndërprerje dhe me të njëjtin përkushtim ndaj çdo qytetari që ka nevojë për kujdes”, thuhet në njoftim.
Drejtoria e Shëndetësisë tha se “do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimeve dhe njëkohësisht duke mbrojtur sigurinë, integritetin dhe dinjitetin e profesionistëve tanë shëndetësorë”.