
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur për vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për situatën politike në Kosovë, ku kanë mbetur edhe shtatë ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit të ri.
Nagavci tha se në këtë situatë është e rëndësishme që Kuvendi të vazhdojë punën me përgjegjësi të plota dhe të shmangen zgjedhjet e reja.
Ajo theksoi se zgjidhja duhet të jetë zgjedhja e një presidenti konsensual, në mënyrë që institucionet e Kosovës të vazhdojnë funksionimin normal.
“Kryeministri Kurti, që pas certifikimit të rezultateve, ka ftuar kryetarët e partive të tjera, të cilët janë takuar disa herë. Fatkeqësisht, deri më tani nuk kemi rezultat konkret”, tha Nagavci.
“Ne kemi qenë në marrëveshje me zotin Abdixhiku për Bekim Sejdiun për president, një profesionist i vlerësuar, një ish-diplomat. Nëse do të ekzistonte vullneti i deputetëve për ta mbështetur, ai do të ishte i gatshëm të vazhdonte për t’u bërë pjesë e votimit”, u shpreh ajo.
Nagavci tha se, pas vendimit të Dhomave të Specializuara, Kuvendi duhet të fokusohet në përgjegjësitë e tij dhe të mos lejojë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Është e rëndësishme që Kuvendi të vazhdojë punën me përgjegjësitë e veta të plota dhe të shmangim zgjedhjet e reja”, tha ajo, duke e cilësuar vendimin e Dhomave të Specializuara si të padrejtë.
Në lidhje me projektligjin e iniciuar nga PDK-ja për Dhomat e Specializuara, Nagavci e kritikoi këtë nismë, duke e cilësuar të nxituar.
Ajo tha se projektligji është dërguar në Qeveri për opinion, në përputhje me procedurat, por pretendoi se nisma nuk është diskutuar paraprakisht me deputetët e partive të tjera dhe as me ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Ndërkohë është tejet e rëndësishme që të veprojmë të unifikuar me strategji shtetërore për këtë vendim të padrejtë. Ne kemi këtë iniciativë të nxituar të PDK-së, të cilët janë të vetëdijshëm që vetëm shtatë ditë na ndajnë nga afati që Kushtetuesja e ka caktuar”, deklaroi Nagavci.
Sipas saj, një projektligj i tillë kërkon kohë për shqyrtim dhe nuk duhet të trajtohet me procedura të përshpejtuara.
“Deputetëve duhet t’u jepet koha e nevojshme për të shqyrtuar projektligjin. Hamza duhet të diskutojë me kryeministrin Kurti, pasi ne e kemi vullnetin për të adresuar këtë vendim të gjykatës”, tha ajo.
Nagavci shtoi se trajtimi i çështjes së Dhomave të Specializuara duhet të bëhet përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me një strategji të përbashkët shtetërore.
“Është e panevojshme dhe e dëmshme për vendin dhe katër ish-krerët e UÇK-së që të mundohemi që, për arsye partiake, shkaqe protagonizmi, të ndërmarrim veprime të përshpejtuara”, u shpreh ajo.
Ajo rikujtoi se Vetëvendosje e kishte kundërshtuar krijimin e Dhomave të Specializuara në vitin 2015.
“Ju e dini që në vitin 2015, kur u miratuan ndryshimet që mundësuan krijimin e Gjykatës Speciale, ne e kundërshtuam fuqishëm në Kuvend dhe patëm diskutime me qytetarët dhe gjithçka që kishim në dorë e bëmë që të mos krijohej kjo gjykatë, dhe e menduam që ishte e padrejtë”, tha Nagavci.
Në fund, ajo përsëriti qëndrimin e Vetëvendosjes se duhet të shmangen zgjedhjet e reja dhe të zgjidhet një president që do të mundësonte funksionimin e plotë të institucioneve.
“Duhet të trajtohet në mënyrën më të mirë të mundshme vendimi i Dhomave të Specializuara, në mënyrë bashkëpunimi, duke zgjedhur një president konsensual, që të gjitha institucionet të vazhdojnë punën në mënyrën e tyre normale”, tha ajo.
Nagavci argumentoi se zgjedhjet e reja nuk do të sillnin domosdoshmërisht ndryshim në rezultatet politike.
“Vullneti i Vetëvendosjes ka qenë që 16 shtatori të na gjente me institucione me kompetenca të plota. Sikur të varej nga ne, do të kishim presidentin e zgjedhur dhe Kuvendin funksional. Vendimi i 16 shtatorit vetëm se përshpejton ose rithekson edhe një herë atë që kemi thënë dhe ditur, që duhet të shmangen një palë zgjedhje të reja”, përfundoi ajo.