
Një fëmijë njëvjeçar me sëmundje të rënda është bërë fëmija i parë në Holandë që i është nënshtruar eutanazisë pas zgjerimit të ligjit për eutanazinë në vitin 2024, bëjnë të ditur autoritetet holandeze.
Rasti, i cili ndodhi në fund të vitit 2025, u bë publik fillimisht në qershor të këtij viti, por në atë kohë autoritetet nuk kishin dhënë detaje për moshën apo gjendjen shëndetësore të fëmijës, raporton euronews.
Sipas një raporti zyrtar të publikuar këtë muaj, fëmija kishte lindur para kohe dhe kishte pësuar sepsë. Në moshën katër muajshe, atij iu diagnostikuan dëmtime të rënda të trurit. Më vonë u diagnostikua edhe me një formë të rëndë të paralizës cerebrale dhe epilepsisë.
Gjendja e fëmijës shkaktonte, ndër të tjera, probleme të rënda me frymëmarrjen dhe nxjerrjen e sekrecioneve nga mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes. Sipas raportit, gjatë jetës së tij të shkurtër nuk pati zhvillim apo përmirësim të gjendjes.
Pasi u bë e qartë se nuk kishte shpresë për përmirësim, prindërit i kërkuan mjekut që t’ia ndërpriste jetën fëmijës. Një komitet shqyrtues arriti në përfundimin se mjeku kishte vepruar në përputhje me kriteret e kujdesit të përcaktuara.
Holanda ndryshoi ligjin në vitin 2024, duke lejuar eutanazinë për fëmijët e moshës nga një deri në 12 vjeç në rrethana të përcaktuara dhe nën kushte të rrepta.
Rasti i fundit është i pari i regjistruar në këtë grupmoshë pas ndryshimit të ligjit.
Holanda ishte vendi i parë në botë që legalizoi eutanazinë, në vitin 2002, nën kushte të rrepta ligjore.
Të gjitha rastet duhet të raportohen dhe shqyrtohen nga komitetet rajonale të eutanazisë.