
Policia e Kosovës do të mbyllë disa rrugë si pjesë e masave të sigurisë për pjesëmarrësit në protestën e paralajmëruar për sot në Prishtinë, nga platforma “Liria ka emër”.
Protesta mbahet për të shprehur vazhdimin e pakënaqësive lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Për shkak të zhvillimit të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, do të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktiviteti, andaj policia ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative.
Sipas planifikimeve policore, prej orës 15:00 rrugët të cilat do të mbyllen përkohësisht për qarkullim në kryeqytet janë “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri”, por varësisht nevojës operative mund të ketë edhe rrugë të tjera në të cilat mund të ndërpritet qarkullimi përkohësisht.
Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike.
Policia e Kosovës falënderon organizatorët dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar në vazhdimësi ndaj policisë dhe njëkohësisht apelon që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë ligjet dhe rregullat në trafikun rrugor në interes të sigurisë së përgjithshme.
Një numër i madh qytetarësh nga e gjithë Kosova dhe trojet e tjera pritet të bashkohen sot në protestë nga ora 16:00 në sheshin “Skënderbeu”, për të shprehur revoltën ndaj vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale, e cila më 16 shtator dënoi me gjithsej 81 vjet burg ish-krerët e UÇK-së.
Specialja shpalli fajtorë për kinse krime lufte dhe i dënoi me nga 25 vjet heqje lirie Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, ndërsa Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13.
Kujtojmë, tash e 15 ditë me radhë po vazhdojnë protestat kundër vendimit të Speciales dhe në mbështetje për ish-krerët e UÇK-së.