
Protestuesit pritet të mblidhen sërish sot në orën 09:00 para Kuvendit të Kosovës, pas një nate të tensionuar të së hënës, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës për shkak të mosvotimit në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pamjet nga sheshi “Skënderbeu” gjatë mbrëmjes treguan hedhje të mjeteve piroteknike dhe shisheve në drejtim të institucioneve dhe policisë, ndërsa në rrugët përreth u dogjën edhe kontejnerë.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e turmës.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës u lënduan gjashtë zyrtarë policorë, ndërsa 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore.
Tre protestues u shoqëruan në stacion policor.