
Pentagoni ka njoftuar se ish-majori i ushtrisë amerikane Nidal Malik Hasan do të ekzekutohet me pushkatim, duke shënuar ekzekutimin e parë të këtij lloji pas më shumë se 60 vitesh, raporton BBC.
Hasan, ish-mjek psikiatër i ushtrisë amerikane, u dënua me vdekje për vrasjen e 13 ushtarëve të paarmatosur në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas, në vitin 2009. Nga sulmi u plagosën edhe 32 persona të tjerë.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, njoftoi të hënën në rrjetet sociale se Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, kishte rekomanduar ekzekutimin dhe se presidenti Donald Trump e kishte miratuar atë.
Sipas njoftimit, Sekretari i Ushtrisë do të përcaktojë datën, orën dhe vendin ku do të kryhet ekzekutimi.
Ky do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak me pushkatim në Shtetet e Bashkuara që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Hasan u shpall fajtor për 13 akuza për vrasje të paramenduar dhe 32 akuza për tentativë vrasjeje. Vendimi u mor nga një trup gjykues i përbërë nga 13 oficerë, të cilët votuan unanimisht në favor të dënimit me vdekje.
Në vitin 2009, Hasan hapi zjarr ndaj ushtarëve në bazën Fort Hood. Gjatë procesit gjyqësor, ai pranoi se ishte personi që kishte qëlluar dhe kërkoi falje për atë që e cilësoi si “gabime”.