
Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.
Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.
Shiroka-Pula u zgjodh presidente me 81 vota në Kuvend, në votimin e zhvilluar në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Ajo e mori postin pas dakordimit politik mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Në fjalimin e saj pas zgjedhjes, Shiroka-Pula tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se e pranon këtë detyrë me nder dhe përgjegjësi të madhe.
Shiroka-Pula ka udhëhequr Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ajo ka mbajtur edhe poste të larta publike. Nga viti 2008 deri më 2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës, ndërsa gjatë viteve 2011–2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
