Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Pas rikthimit të energjisë, ndërrimi i parë ka nisur punën normalisht në Trepçë

Gazeta10
08 October 2026 - 11:59

Gjendja në minierën Trepça është stabilizuar pas rikthimit të energjisë elektrike, si pasojë e së cilës mbrëmë në horizontin 11 kishin mbetur të ngujuar 63 minatorë dhe sot ka nisur punën normalisht ndërrimi i ri.

63 minatorët që ndodheshin në minierën e Trepçës kanë dalë në sipërfaqe, pasi mbrëmë një avari në sistemin elektrik ndërpreu furnizimin me energji.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes Trepça, 54 minatorë kanë dalë përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerë kanë qëndruar në minierë deri në rikthimin e energjisë elektrike.
Furnizimi me energji është rikthyer në orën 02:30, ndërsa nëntë minatorët e fundit kanë dalë në sipërfaqe rreth orës 02:50.

Trepça ka njoftuar se avaria ka ndodhur rreth orës 19:30, në trafon “Tuneli”, përkatësisht në sistemin 35 kV, duke shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për Minierën me Flotacion në Stan Tërg dhe Njësinë e Flotacionit.

Në momentin e avarisë, 63 minatorët ishin në ndërrimin e dytë dhe ishte planifikuar ta përfundonin punën në orën 23:00.
Ndërkohë, Njësia e Flotacionit ka mbetur jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në trafon 35 kV.

Ekipet teknike janë duke punuar në sanimin e avarisë. Sipas ndërmarrjes, po kontrollohen dhe zëvendësohen pesë siguresa mbrojtëse 6.3 kV, si dhe elemente të tjera të instalimit elektrik.

Trepça ka bërë të ditur se procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë.

Për situatën ka reaguar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, e cila ka kërkuar hetim të plotë dhe transparent të ngjarjes. Sindikata ka thënë se në vazhdimësi ka ngritur shqetësime për kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët emergjente, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve.
“Minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën”, thuhet në reagim.

Sindikata ka kërkuar gjithashtu vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë, si dhe investime urgjente nga shteti në sigurinë e minatorëve.
“Mos të presim që një incident i radhës të kthehet në tragjedi. Tani është momenti për veprim!”, ka theksuar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka falënderuar ekipet e Trepçës, KOSTT-it dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në përballimin e situatës.

“Falënderoj ekipet e Trepçës, KOSTT-it dhe të gjithë ata që kontribuuan për përballimin e situatës”, ka shkruar Rizvanolli.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.