
Më 15 tetor, liderët e BE-së u mblodhën në Bruksel për një samit dyditor, i cili përfundoi sot.
Gjatë ditës së parë, ata miratuan konkluzionet për konkurrueshmërinë, kornizën e ardhshme financiare shumëvjeçare, si dhe zgjerimin dhe reformat.
Liderët e BE-së rikujtuan se zgjerimi është “një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet, si dhe një nxitës për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe promovimin e vlerave të përbashkëta europiane”.
Ata theksuan nevojën që vendet kandidate të vazhdojnë reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, në përputhje me parimin e meritave në procesin e anëtarësimit. Nga ana tjetër, BE-ja duhet të avancojë reformat e brendshme dhe të trajtojë çështjet kyçe që lidhen me prioritetet, politikat dhe kapacitetin e saj për të vepruar në rast të një zgjerimi të mëtejshëm, thuhet në dokument.
Përfundimet që nxori Këshilli Europian për zgjerimin dhe reformat:
74. Duke rikujtuar Deklaratën e Granadës, Këshilli Evropian zhvilloi një diskutim strategjik mbi hapat e mëtejshëm në procesin e zgjerimit dhe reformat e brendshme.
75. Duke rikujtuar konkluzionet e mëparshme, Këshilli Evropian thekson rëndësinë e vazhdueshme të zgjerimit si një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet. Zgjerimi është një nxitës për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale të qytetarëve evropianë dhe për zvogëlimin e dallimeve ndërmjet vendeve. Ai duhet gjithashtu të promovojë vlerat mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian.
Duke pasur parasysh perspektivën e një Unioni me më shumë anëtarë në të ardhmen, si shtetet e ardhshme anëtare, ashtu edhe BE-ja duhet të jenë të përgatitura në momentin e anëtarësimit. Vendet aspiruese duhet të vazhdojnë përpjekjet për reforma, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, në përputhje me parimin e meritave në procesin e anëtarësimit dhe me mbështetjen e BE-së.
Paralelisht, Bashkimi Evropian duhet të avancojë punën e brendshme dhe reformat, të përcaktojë ambiciet e tij afatgjata dhe mënyrat për realizimin e tyre, si dhe të trajtojë çështjet kyçe që lidhen me prioritetet dhe politikat e tij, përfshirë kapacitetin për të vepruar. Kjo do ta bëjë Bashkimin Evropian më të fortë dhe do të rrisë sovranitetin evropian.
76. Këshilli Evropian rikujton se procesi i anëtarësimit bazohet në merita dhe se secili vend kandidat përparon në negociatat e anëtarësimit në bazë të progresit të tij individual.
77. Në këtë kontekst, Këshilli Evropian merr në dijeni komunikatën e Komisionit Evropian me titull “Përgatitja për një Union më të zgjeruar” dhe i bën thirrje Këshillit që të analizojë të gjitha aspektet e saj dhe, bazuar në këtë analizë, të vazhdojë punën përkatëse.
78. Këshilli Evropian mirëpret punën që po zhvillohet për hartimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi. Ai vë në dukje synimin e Presidencës irlandeze të Këshillit për të punuar drejt mbylljes së përkohshme të kapitujve të mbetur të negociatave, në varësi të zbatimit të reformave përkatëse nga Mali i Zi./Express