Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Francë: Sulme ndaj policisë, plaçkitje dhe zjarrvënie

Gazeta10
18 October 2026 - 12:04

Sulme ndaj policisë, plaçkitje dhe zjarrvënie: Protestat mbarëkombëtare në Francë janë shoqëruar me dhunë të rëndë. Në Limoges, protestuesit i vunë flakën bashkisë historike. U arrestuan 1,200 persona.

Një ditë mbarëkombëtare protestash kundër kostos së lartë të jetesës në Francëu shoqërua me dhunë të rëndë, plaçkitje dhe qindra përplasje me policinë. Sipas Ministrisë së Brendshme, disa grupe protestuesish në Paris tentuan t’u afroheshin institucioneve shtetërore, ndërsa forcat e rendit ndërhynë për të mbrojtur objektet qeveritare.

Kryeministri Sébastien Lecornu deklaroi se trazirat kishin në shënjestër qendrat kryesore të pushtetit në vend.

“Është e qartë se në shënjestër ishin qendrat e pushtetit në Paris: Pallati Élysée, selia e qeverisë dhe Asambleja Kombëtare”, tha Lecornu pas një mbledhjeje urgjente të qeverisë. Ai dënoi atë që e quajti “një nivel të tmerrshëm dhune” dhe bëri të ditur se janë arrestuar rreth 1.200 persona.

Të plagosur dhe plaçkitje

Sipas qeverisë franceze, 150 policë janë plagosur gjatë protestave. Edhe mediat raportuan për të lënduar mes demonstruesve. Në Saint-Étienne, një 17-vjeçar humbi njërën dorë pas shpërthimit të një granate të hedhur nga policia, raportoi gazeta Le Figaro.

Në Nancy, në lindje të Francës, tre persona u plagosën nga një granatë verbuese e përdorur nga forcat e sigurisë, sipas të përditshmes L’Est Républicain.

Mbi 550 mijë protestues në mbarë vendin

Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez tha se në protestat dhe demonstratat në të gjithë Francën morën pjesë rreth 550.000 persona, prej tyre 110.000 në Paris. Në mbarë vendin u organizuan qindra protesta lokale dhe marshime të shumta.

Shumë demonstrues protestuan në mënyrë paqësore, duke kërkuar investime më të mëdha në arsim dhe shëndetësi, strehim më të përballueshëm dhe masa më të forta për mbrojtjen e klimës.

Mes tyre ishin edhe Élodie dhe Bérénice, dy infermiere që protestonin në Paris me jelekët simbolikë të lëvizjes së “Jelekëve të Verdhë”.

“Dhjetë vjet Macron, dhe kudo ka kaos. Situata në spitale po përkeqësohet çdo ditë, nuk mund të vazhdojmë më kështu”, tha Bérénice.

“Nuk jemi këtu për dhunë”, shtoi Élodie, “por për të mbrojtur të drejtat tona, ashtu si edhe të rinjtë.”

Qeveria akuzon ekstremin e majtë

Megjithatë, në shumë qytete protestat degjeneruan në dhunë. Në Marsejë, sipas Ministrisë së Brendshme, protestuesit tentuan të hynin me forcë në një komisariat policie, depërtuan në ndërtesën e bashkisë dhe plaçkitën dyqane.

Në Lion iu vu zjarri zyrës së informacionit turistik dhe u shkaktuan dëme materiale në një numër biznesesh. Ministria tha se në disa raste zjarrfikësit u penguan të ndërhynin.

Në qytetin Limoges, zjarrfikësit luftuan për orë të tëra me një zjarr të shkaktuar nga protestuesit, i cili shkatërroi pjesën më të madhe të bashkisë historike të qytetit.

Sulme ndaj institucioneve dhe mediave

Në Avignon, protestuesit depërtuan në oborrin e prefekturës, ndërsa në Grenoble u dëmtua ndërtesa e bashkisë. Sipas Prefekturës së Policisë së Parisit, rreth 100 persona u arrestuan në kryeqytet për mbajtje armësh dhe sendesh të ndaluara.

Ministria e Brendshme deklaroi se gjatë protestave u vu re një mobilizim i madh i grupeve të ekstremit të majtë, të cilat, sipas saj, synonin të nxisnin trazira. Autoritetet raportuan për sulme të organizuara nga individë të maskuar të njohur si “Black Bloc”, veçanërisht në Paris, Marsejë, Rennes, Toulouse dhe Angers.

Po ashtu, pati edhe sulme të drejtuara ndaj mediave. Sipas raportimeve, rreth 100 persona të maskuar bllokuan hyrjen e kanalit televiziv konservator CNews në Paris.

Macron: Nuk ka vend për dhunë

Presidenti francez Emmanuel Macronparalajmëroi se përgjegjësit për trazirat do të përballen me pasoja ligjore.

“Nuk ka vend për dhunë në Republikën tonë”, tha Macron.

“Ata që kanë sulmuar prefekturat, bizneset dhe madje kanë plaçkitur bashkitë do të ndiqen penalisht dhe do të ndëshkohen.”

Në një postim në platformën X, ai shprehu mbështetjen për forcat e sigurisë dhe tha se autoritetet do të veprojnë kundër atyre që përpiqen të minojnë institucionet demokratike dhe të pengojnë protestat paqësore.

Edhe kryeministri Lecornu dënoi ashpër trazirat.

“Atyre që duan t’i përdorin këto akte dhune si një provë gjenerale para zgjedhjeve presidenciale, u them qartë: nuk do të na frikësojnë”, deklaroi ai, duke shtuar se askush nuk mund ta imponojë axhendën e vet politike përmes dhunës.

Frika nga rikthimi i “Jelekëve të Verdhë”

Thirrja për protestë nuk lidhej qartësisht me ndonjë organizatë të vetme. Asaj iu bashkuan grupe të ndryshme, përfshirë nxënës dhe studentë që prej javësh protestojnë për kushte më të mira në arsim.

Mobilizimi u përhap kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe kishte në fokus çmimet e larta të karburanteve, pagat e ulëta, rritjen e kostos së jetesës, si dhe problemet në bujqësi dhe shërbimet zjarrfikëse.

Në internet qarkulloi gjithashtu një thirrje për ringjalljen e lëvizjes së njohur të “Jelekëve të Verdhë”. Qeveria druhet se protestat aktuale mund të shndërrohen në një lëvizje të gjerë sociale, të ngjashme me atë që tronditi Francën në vitet e fundit.

Protesta e “Jelekëve të Verdhë”, e cila nisi si reagim ndaj rritjes së planifikuar të taksave mbi karburantet, u shndërrua shpejt në një lëvizje kombëtare kundër kostos së lartë të jetesës dhe pabarazive sociale, duke u bërë një nga sfidat më të mëdha politike të mandatit të parë të Emmanuel Macronit. /DW

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.