
Tre persona kanë mbërritur deri më tani në Spitalin Universitar të Traumës, pas incidenteve të shënuara gjatë protestës së sotme në Tiranë, tha Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në një njoftim të publikuar në orën 16:00.
Sipas ministrisë, personat që po marrin trajtim mjekësor janë një efektiv policie, një i mitur 15-vjeçar dhe një përfaqësuese e medias.
“Gjendja e tyre është stabile, po kryejnë ekzaminimet dhe po marrin trajtimin nga stafet mjekësore dhe infermierore”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtin njoftim, Ministria e Shëndetësisë përgënjeshtron lajmet që po qarkullojnë për humbjen e jetës së një të mituri, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Përgënjeshtrojmë kategorikisht lajmin që po qarkullon për humbjen e jetës së një të mituri, duke theksuar se ky informacion është I PAVËRTETË. U bëjmë thirrje mediave dhe opinionit publik të tregojnë përgjegjësi në verifikimin dhe shpërndarjen e informacioneve, për të shmangur përhapjen e lajmeve të rreme që shkaktojnë panik, shqetësim te familjarët dhe tensione të panevojshme në opinionin publik”.