
Ambientalistët britanikë janë ngritur kundër dy projekteve energjetike në Detin e Veriut. Qeveria sapo i ka dhënë dritën e gjelbër njërit prej tyre. Pritet që gazi të mbërrijë së shpejti nëpër shtëpi.
Që në dimrin e ardhshëm, shtëpitë britanike pritet të furnizohen me gaz nga platforma “Jackdaw”, e cila ndodhet rreth 240 kilometra larg bregdetit të Aberdeen-it, në Skoci, siç njoftoi Departamenti i Energjisë në Londër. Projekti pritet të sigurojë qindra vende pune dhe të ndihmojë në “mbajtjen ngrohtë të miliona shtëpive këtë dimër”, deklaroi kryeministri Andy Burnham, sipas një njoftimi për shtyp.
Në një kohë kur shumë njerëz po përballen me vështirësi, është e drejtë që rezervat ekzistuese të energjisë të shfrytëzohen në mënyrë të përgjegjshme dhe optimale. Sipas operatorit “Adura”, platforma “Jackdaw” mund të përbëjë rreth 6% të prodhimit të gazit të Britanisë së Madhe në Detin e Veriut, në kulmin e saj.
Projekti përçan Partinë Laburiste
Projekti po shkakton përçarje brenda Partisë Laburiste të Burnham-it. Me marrjen e detyrës në vitin 2024, ish-kryeministri Keir Starmer kishte premtuar se nuk do të jepte licenca të reja për kërkimin e naftës dhe gazit në Detin e Veriut – një hap që synonte ta orientonte vendin drejt energjisë së rinovueshme dhe larg lëndëve djegëse fosile. Që kur mori detyrën këtë verë, Burnham ka deklaruar vazhdimisht synimin e tij për të ndjekur një “qasje pragmatike” lidhur me projektet energjetike në Detin e Veriut. Mbështetësit e projekteve të shpimit theksojnë se as “Jackdaw” dhe as platforma “Rosebank” – e cila ndodhet në perëndim të Ishujve Shetland dhe mban kryesisht naftë – nuk janë projekte të reja. Nën qeverinë e mëparshme konservatore, autoriteti përkatës u kishte dhënë tashmë licenca kompanive të përfshira.
Megjithatë, më vonë, të dyja fushat u bënë objekt i një mosmarrëveshjeje të gjatë ligjore. Vitin e kaluar, një gjykatë skoceze vendosi se licencat nuk kishin marrë parasysh emetimet indirekte të gazeve serrë, duke kërkuar që kompanitë të paraqisnin aplikime të reja për autorizim. E ardhmja e fushës së naftës Rosebank mbetet e pasigurt. Për të do të merret një vendim i veçantë, i cili do të “kërkojë më shumë kohë”, deklaroi Ministrja e Energjisë, Miatta Fahnbulleh, sipas agjencisë së lajmeve PA.
“Nxitës i kolapsit klimatik”
Aktivistët e klimës dhe mbrojtësit e mjedisit e kanë kritikuar ashpër vendimin e qeverisë për të zhvilluar fushën e gazit Jackdaw. Organizata Greenpeace deklaroi se ky autorizim dëshmon “ndikimin që lobistët e industrisë së lëndëve djegëse fosile vazhdojnë të ushtrojnë mbi politikën tonë energjetike”.
Organizata “Stop Climate Chaos Scotland” deklaroi se zhvillimi i kësaj fushe nuk do të ndihmojë në uljen e faturave të larta të energjisë. Çdo prodhim i ri gazi do të “hedhë benzinë në zjarrin e kolapsit klimatik” dhe do të çojë në katastrofa të mëtejshme.
Si Kryeministri, ashtu edhe Ministrja e Energjisë, Fahnbulleh, këmbëngulin se autorizimi i projektit është në përputhje me objektivat klimatike të Britanisë së Madhe. “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimit tonë për të kaluar në energji të rinovueshme dhe për të arritur neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050,” tha Burnham. Megjithatë, edhe në këtë “rrugë ambicioze drejt përmbushjes së objektivave klimatike”, nafta dhe gazi do të vazhdojnë të jenë pjesë e furnizimit me energji për dekadat e ardhshme./DW