Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kriza e çmimeve trazon Evropën, Rusia mund të përfitojë nga pakënaqësia

Gazeta10
22 October 2026 - 8:15

Rritja e çmimeve të karburanteve dhe e kostos së jetesës po ushqen një pakënaqësi në rritje në mbarë Evropën, duke nxitur protesta masive dhe duke forcuar mbështetjen për partitë e ekstremit të djathtë në prag të zgjedhjeve që do të mbahen vitin e ardhshëm në disa vende evropiane, përfshirë Francën, Italinë dhe Poloninë. Lufta midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit e ka përkeqësuar më tej situatën ekonomike, ndërsa pakënaqësia publike po ndikon gjithnjë e më shumë në marrëdhëniet politike në të gjithë kontinentin, raporton Reuters.

Lufta që shpërtheu në shkurt shkaktoi një rritje të menjëhershme dhe të ndjeshme të çmimeve të energjisë, duke krijuar një barrë shtesë për qeveritë evropiane, të cilat tashmë po përballen me inflacionin, ngadalësimin ekonomik dhe presionin mbi financat publike.

Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, konflikti me Iranin i ka kushtuar Evropës përafërsisht 100 miliardë euro, për shkak të ndërprerjeve në tregti dhe në tregjet e energjisë. Çmimet e gazit janë rritur me rreth 140 për qind, ndërsa çmimet e naftës janë dyfishuar.

Në Francë, demonstratat – të cilat filluan si pasojë e kushteve të këqija në shkollat ​​e periferive veriore të Parisit – janë përshkallëzuar në disa nga trazirat më të rënda të dekadave të fundit. Dyqane janë plaçkitur, ndërtesa janë vënë në flakë, ndërsa në Limoges, është vënë qëllimisht zjarr në ndërtesën e bashkisë, e cila daton nga shekulli i 19-të. “Pse jam këtu? Thjesht sepse kostoja aktuale e jetesës më tmerron vërtet,” tha Quentin Levilleu, një protestues 21-vjeçar në Nantes.

“Mendoni pak për njerëzit që mezi fitojnë pagën minimale, kur shihni koston e ushqimit, karburantit dhe gjithçkaje tjetër. Është e frikshme se sa jashtëzakonisht të shtrenjta janë bërë të gjitha gjërat,” shtoi ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron pranoi se protestuesit kanë “kërkesa legjitime” në lidhje me rritjen e kostos së jetesës dhe të çmimeve të karburanteve, por ai e dënoi dhunën.

“Nuk duhet t’i barazojmë kurrë ata me personat që janë përfshirë në shkatërrime, vandalizëm dhe plaçkitje,” deklaroi Macron.

Trazirat janë përhapur edhe në Itali. Në Milano, protestuesit u përleshën me policinë, duke hedhur gurë dhe duke plaçkitur dyqane, ndërsa protestonin kundër shërbimeve publike të dobëta dhe rritjes së kostos së jetesës. Protestë në Francë 14371500.jpgNë Siçili, fermerët po përdorin traktorë për të bllokuar rrugët, duke paralajmëruar se kostot e larta të karburantit e kanë bërë të pamundur për ta vazhdimin e punës në tokat e tyre.

“Ne e punojmë tokën, por korrim borxhe,” shkruhej në një pankartë.

“Kemi arritur në një bllokim të plotë. Çmimi i karburantit është dyfishuar e më shumë,” tha Arcangelo Gambino, një përfaqësues i fermerëve në provincën e Caltanissetta-s.

Bllokadat nga shoferët e kamionëve, fermerët dhe punëtorët e industrisë së çelikut kanë ndërprerë qarkullimin në Italinë jugore, duke shkaktuar mungesa lokale të karburantit dhe duke ngritur shqetësime lidhur me furnizimin e dyqaneve me mallra. Protesta pati edhe në Portugali, ku dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Lisbonës për shkak të pagave të ulëta dhe kostove të larta të strehimit. Në Spanjë, dëbimi i një gruaje 87-vjeçare nga shtëpia e saj nxiti demonstrata lidhur me krizën e strehimit dhe qiratë e larta – një situatë që kontribuoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për në muajin nëntor.

Demonstratat u përhapën edhe në Belgjikë, ndërsa në Shqipëri protestat u nxitën nga pakënaqësia lidhur me korrupsionin, papunësinë dhe gjendjen e dobët të arsimit.

Analistët politikë paralajmërojnë se kriza ekonomike po krijon kushte të favorshme për forcimin e partive populiste.

“Shqetësimet lidhur me fuqinë blerëse janë bërë një shtysë kryesore e politikave populiste në të gjithë Evropën,” deklaroi Gilles Ivaldi, politolog në institutin “Sciences Po” me seli në Paris.

Në Francë, çmimet e energjisë janë shfaqur si një çështje kyçe në prag të zgjedhjeve presidenciale të prillit 2027.

Marine Le Pen, udhëheqëse e partisë së ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar” (Rassemblement National), dhe Jean-Luc Mélenchon, që përfaqëson të majtën radikale, e kanë vendosur uljen e çmimeve të karburantit në qendër të fushatave të tyre.

“Rritja e çmimeve të karburantit është qartazi një çështje që i shkon për shtat Marine Le Pen-it. Besoj se ajo, prej kohësh, është lidhur politikisht me këtë temë,” tha Ivaldi.

Sipas sondazheve të agjencisë “Elabe”, mbështetja për Le Pen-in është rritur që nga fillimi i luftës që përfshin Iranin, ndërsa popullariteti i Macron-it ka rënë. Propozimi i saj për një ulje të ndjeshme të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për karburantet ka gjetur mbështetje të gjerë, veçanërisht mes votuesve në zonat rurale dhe periferike, ku makina është shpesh e domosdoshme për jetën e përditshme.

Në Gjermani, partia “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) kryeson në sondazhet kombëtare, pas rezultateve të forta në zgjedhjet lokale.

Për të pestin vit radhazi, kostoja e jetesës mbetet shqetësimi kryesor për gjermanët, ndërsa inflacioni në shtator arriti nivelin më të lartë në pothuajse tre vjet. Çmimet e energjisë u rritën me 14,9 për qind.

AfD po e shfrytëzon këtë situatë për të sulmuar kancelarin Friedrich Merz, duke kërkuar rivendosjen e lidhjeve energjetike me Rusinë.

Partia argumenton se, duke mbështetur Ukrainën, Gjermania po dëmton ekonominë e saj – veçanërisht sektorin industrial, i cili varet nga sasi të mëdha energjie.

“Partitë populiste shpesh i paraqesin kostot e energjisë si diçka që mund të shmanget, duke ua atribuar ato vendimeve të politikave qeveritare, në vend të tronditjeve gjeopolitike që në fakt i shkaktojnë ato.”

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.