
Nikola Camaj, deputet i Forumit Shqiptar dhe nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, ka deklaruar se kërkesa për mandate të garantuara për partitë shqiptare nuk lidhet me kushtëzimin e ndryshimeve kushtetuese apo të miratimit të ligjeve që lidhen me integrimin evropian të vendit.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Malit të Zi, Camaj tha se do të angazhohet për sigurimin e katër mandateve të garantuara për partitë shqiptare, duke e cilësuar këtë si çështje të përfaqësimit të drejtë politik dhe të barazisë.
Ai theksoi se pakicat në Mal të Zi e kanë mbështetur pavarësinë e vendit dhe anëtarësimin në NATO pa kushte dhe se, në të njëjtën mënyrë, vazhdojnë të mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Pa asnjë kushtëzim, pakicat e kanë mbështetur pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësimin në NATO. Në të njëjtën mënyrë, ne ofrojmë mbështetje të plotë dhe pa kushte për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, deklaroi Camaj.
Ai shtoi se përmirësimi i pozitës së komuniteteve pakicë dhe respektimi i marrëveshjeve politike duhet të jenë përgjegjësi e të gjitha palëve, përfshirë opozitën.