Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Ju jeni errësira që i mbylli dritën e syrit”, Rama për të riun e plagosur: Jam marrë personalisht me kurimin e tij në Itali

Gazeta10
25 October 2026 - 13:31

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X lidhur me protestat e dhunshme dhe plagosjen e të riut nga Elbasani, i cili mbeti i dëmtuar në sy.

Rama shprehet se i vjen keq për çdo person që lëndohet fizikisht, por akuzon organizatorët dhe nxitësit e dhunës se po e përdorin ngjarjen për të nxitur përplasje të mëtejshme. Ai bën të ditur gjithashtu se është angazhuar për sigurimin e kurimit të të riut në një spital në Itali dhe transportit me avion charter mjekësor.

REAGIMI I PLOTË:

Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje  Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!

Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur.Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën:

Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit! Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë! Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni. Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni!  

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.