
Turqia synon të ndryshojë kufijtë detarë në Mesdhe së bashku me Libinë dhe të krijojë një korridor të përbashkët ekonomik. Kjo ka shkaktuar protesta të forta nga Greqia dhe ka vënë në lëvizje edhe Bashkimin Evropian.
Vendimi erdhi papritur dhe ishte çuditërisht i qartë: të martën, parlamenti libian në Tobruk miratoi njëzëri një marrëveshje për të drejtën detare me Turqinë, e cila prej vitesh kishte mbetur në sirtar.
Pas luftës civile shumëvjeçare, Libia është e ndarë në dy pjesë. Me qeverinë e unitetit kombëtar, të njohur nga OKB-ja dhe që kontrollon pjesën perëndimore të Libisë, Turqiakishte arritur një marrëveshje që në vitin 2019. Megjithatë, ratifikimi i saj kishte dështuar për shkak të rezistencës së vazhdueshme nga Libia lindore. Tani, qeveria e këtij rajoni ka dhënë miratimin e saj dhe ka hapur rrugën për zbatimin e marrëveshjes. Ky vendim, i mirëpritur nga Ministria e Jashtme e Turqisë, pritet të rindezë tensionet me vendet e tjera bregdetare të Mesdheut Lindor.
Përse bëhet fjalë tek marrëveshja?
Marrëveshja parashikon krijimin e një korridori të drejtpërdrejtë ekonomik detar midis bregdetit jugor të Turqisë dhe bregdetit verior të Libisë. Në rajonin në fjalë janë zbuluar së fundmi rezerva të mëdha nafte dhe gazi. Sipas vlerësimeve, nën fundin e detit mund të gjenden rezerva gazi natyror me vlerë prej disa qindra miliardë dollarësh amerikanë. Të dy vendet synojnë të sigurojnë të drejtat e tyre ekonomike mbi këto burime dhe të zhvillojnë së bashku shfrytëzimin e tyre.
Korridori i planifikuar anashkalon me vetëdije ishuj grekë që ndodhen në afërsi të menjëhershme, si Kreta, Karpathosi dhe Rodosi. Qeveria në Athinë këmbëngul se posedon një zonë të gjerë ekonomike ekskluzive (ZEE) rreth këtyre ishujve dhe ka paralajmëruar tashmë kundërshtim të fortë ndaj projektit.
Brenda një kohe shumë të shkurtër, Ministria e Jashtme e Greqisë reagoi në platformën X: Greqia e kundërshton me vendosmëri votimin e parlamentit libian. “Ky vendim nuk ndryshon asgjë: Memorandumi mbetet i paligjshëm, i pavlefshëm dhe pa asnjë efekt juridik!” Edhe Bashkimi Evropian reagoi me shqetësim. “BE-ja ka një interes strategjik për një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt në Mesdheun Lindor dhe u bën thirrje të gjitha vendeve të respektojnë të drejtat sovrane të të gjitha shteteve anëtare në përputhje me të drejtën e BE-së dhe të drejtën ndërkombëtare, përfshirë Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit”, thuhet në deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.
Çfarë thotë e drejta ndërkombëtare për detin?
Pyetja se cilat pretendime janë legjitime përbën thelbin e mosmarrëveshjes juridike në Mesdheun Lindor. Greqia mbështetet kryesisht në Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit (UNCLOS). Neni 121 i saj përcakton se ishujt e banueshëm, që “lejojnë një jetë ekonomike të pavarur”, gëzojnë të njëjtat të drejta për një Zonë Ekskluzive Ekonomike (ZEE) si edhe territori kontinental. Sipas Athinës, kjo vlen edhe për Kretën, Rodosin apo Lesbosen. Athina i referohet gjithashtu precedentëve ligjorë, siç është mosmarrëveshja mes Nikaraguas dhe Kolumbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në atë rast, ky interpretim i së drejtës detare u konfirmua në parim, megjithëse në rastet kur interesat mbivendosen duhet të gjendet kufiri i drejtë. Ky duhet të marrë parasysh vijat bregdetare, kushtet gjeografike dhe pasojat e një përcaktimi të mundshëm të kufirit.
Pikërisht në këtë argument mbështetet Turqia. Ankaraja argumenton se gjeografia e Mesdheutpërbën një rast të veçantë: nëse çdo ishulli të vogël grek pranë brigjeve turke (si dhe Qipros) do t’i njihej një Zonë Ekskluzive Ekonomike e plotë, Turqia do të mbetej në masë të madhe pa qasje në detin e hapur. Sipas saj, kjo duhet të merret më fort në konsideratë gjatë përcaktimit të kufijve.
Ndryshe nga Greqia, Turqia nuk e ka nënshkruar kurrë Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit (UNCLOS). Për këtë arsye, ajo nuk dëshiron që mosmarrëveshja të trajtohet nga një gjykatë arbitrazhi nën kujdesin e OKB-së. Megjithatë, edhe ekspertët ndërkombëtarë të së drejtës detare nuk janë të një mendimi se si duhet të duket konkretisht një “ndarje e drejtë” në këtë rast.
Pse ndërron qëndrim pjesa lindore e Libisë?
Kur Turqia e shtyu përpara këtë marrëveshje në vitin 2019, në Libi vazhdonte ende një luftë civile e ashpër. Në atë kohë, Turqia ndërhyri ushtarakisht në perëndim të vendit për të shpëtuar qeverinë në Tripoli dhe, në këtë mënyrë, zmbrapsi ofensivën e gjeneralit të Libisë Lindore, Khalifa Haftar. Ndërkohë, marrëdhëniet kanë ndryshuar rrënjësisht: Ankaraja prej kohësh po zhvillon një ofensivë aktive afrimi ndaj kampit të Haftarit, gjë që ka çuar në një afrim politik mes palëve.
Sot, Ankaraja gëzon marrëdhënie të mira me të dyja pjesët e Libisë dhe kjo i shërben interesave të saj. Krahas planit për të shfrytëzuar së bashku me vendin e Afrikës së Veriut burimet energjetike në Mesdhe, kompanitë turke të ndërtimit kanë siguruar vitet e fundit kontrata me vlerë miliarda euro për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Për më tepër, kompania shtetërore turke e naftës TPAO dhe Korporata Kombëtare e Naftës së Libisë tashmë po punojnë në plane të përbashkëta për kërkime sizmike pranë brigjeve libiane.
Përveç kësaj, Ankaraja është konsoliduar si partneri i ri ushtarak i forcave të Haftarit, duke furnizuar armë dhe duke ofruar programe trajnimi. Në këtë mënyrë, Turqia po zbeh ndikimin e Egjiptit dhe Rusisë në Libinë Lindore dhe po forcon rolin e saj si një aktor gjeopolitik i rëndësishëm në rajon. Me ratifikimin e marrëveshjes, edhe Libia Lindore synon të sigurojë pjesën e saj nga burimet fitimprurëse të lëndëve të para. Edhe gjenerali Haftar shpreson që përmes kësaj të fitojë më shumë peshë dhe ndikim në arenën ndërkombëtare në të ardhmen.
Tensionet në Mesdheun Lindor pritet të rriten edhe më tej si pasojë e kësaj marrëveshjeje, veçanërisht nëse Turqia dhe Libia do të nisin realisht shfrytëzimin e rezervave të naftës dhe gazit në zonën detare të kontestuar. Për më tepër, marrëveshja rrezikon një tjetër projekt madhor që ndodhet ende në fazën e planifikimit: gazsjellësin EastMed. Ky projekt synon që në të ardhmen të transportojë gaz natyror nga Izraeli dhe Qiproja, përmes Greqisë, drejt Evropës, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sigurinë energjetike të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, korridori i ri turko-libian jo vetëm që ndërpret itinerarin e planifikuar të gazsjellësit, por Turqia pretendon gjithashtu të drejtën për të kontrolluar ose bllokuar projektet e kabllove dhe tubacioneve që kalojnë nëpër këtë zonë. /DW