Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

SHIQK kërkon verifikimin e ligjshmërisë së një produkti të importuar që shitet si “kaçkavall i grirë”

Gazeta10
25 October 2026 - 15:20

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka kërkuar nga gazetarët dhe mediat hulumtuese që të shqyrtojnë rastin e një produkti të importuar nga Maqedonia e Veriut, i cili, sipas shoqatës, përmban vaj palme dhe përbërës të tjerë bimorë, por në paketim emërtohet “kaçkavall i grirë”.

Në një sqarim për gazetarët dhe mediat, SHIQK ka ngritur dyshime për shkelje të legjislacionit të Kosovës mbi etiketimin e ushqimit dhe mbrojtjen e konsumatorit.

“Mirëpo, përbërja e deklaruar përfshin ujë, niseshte, vaj palme dhe përbërës të tjerë bimorë. Qumështi nuk deklarohet si përbërës i produktit, por përmendet vetëm mundësia e pranisë së gjurmëve të proteinave të qumështit dhe laktozës”, thuhet në njoftim.

Shoqata vlerëson se produkti paraqitet para konsumatorëve me emërtimin e një produkti të njohur të qumështit, ndonëse, sipas përbërjes së deklaruar, është me bazë bimore.

SHIQK i është referuar Ligjit nr. 08/L-120 për Ushqim, përkatësisht neneve 8, 12, 20 dhe 28, si dhe Ligjit nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, neneve 9, 16 dhe 136.

Sipas shoqatës, neni 8 i Ligjit për Ushqim synon mbrojtjen e konsumatorëve nga praktikat mashtruese, falsifikimet ushqimore dhe paraqitjet që mund t’i çorientojnë ata.

“Emërtimi ‘Kaçkavall i grirë’ mbi një produkt me bazë niseshteje dhe yndyrash bimore ngre dyshime të arsyeshme për çorientimin e konsumatorit”, thuhet në sqarim.

SHIQK ka theksuar gjithashtu se produktet e importuara duhet t’i respektojnë kërkesat ligjore të Kosovës dhe se origjina e huaj nuk i përjashton ato nga ky detyrim.

Duke iu referuar Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, shoqata ka argumentuar se një paraqitje tregtare mund të konsiderohet mashtruese edhe kur disa informacione të veçanta janë të sakta, nëse prezantimi i përgjithshëm e çorienton konsumatorin lidhur me natyrën ose përbërjen e produktit dhe mund të ndikojë në vendimin e blerjes.

“Prandaj, shënimi me shkronja më të vogla se produkti përmban vajra bimore nuk e përjashton automatikisht mundësinë e shkeljes së shkaktuar nga emërtimi ‘Kaçkavall i grirë’”, thuhet në njoftim.

Shoqata ka shtuar se, në rastet kur inspektorati konstaton parregullsi, mund të kërkohet korrigjimi i tyre dhe, sipas kushteve ligjore, të vendoset ndalim i përkohshëm i shitjes.

SHIQK ka sqaruar se kundërshtimi i saj nuk lidhet me përdorimin e vajit të palmës apo me importin në përgjithësi, por me përdorimin e emërtimit “kaçkavall” për një produkt që, sipas përbërjes së deklaruar, nuk është djathë.

“Problemi nuk është vetë përdorimi i vajit të palmës. Produktet ushqimore me yndyra bimore mund të tregtohen kur plotësojnë kushtet ligjore”, thuhet në sqarim.

Shoqata u ka kërkuar mediave që t’u drejtohen Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Doganës së Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë për të marrë përgjigje lidhur me mënyrën e deklarimit të produktit gjatë importit, ligjshmërinë e emërtimit, kontrollet kufitare dhe inspektimet në treg.

Ajo kërkon gjithashtu sqarime nëse do të kërkohet korrigjimi i etiketës dhe, nëse konfirmohet shkelja, ndalimi i tregtimit deri në përmbushjen e kushteve ligjore.

“Ne nuk kërkojmë ndalimin e konkurrencës apo importit. Kërkojmë zbatimin e të njëjtit ligj për të gjithë”, thuhet në njoftim.

SHIQK ka theksuar se fotografia e produktit përbën bazë të arsyeshme për verifikim, por se vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e tij duhet të merret nga institucionet kompetente.

“NËSE NJË EMËRTIM ËSHTË I NDALUAR PËR PRODHUESIN KOSOVAR, AI NUK MUND TË LEJOHET PËR IMPORTUESIN PA NJË BAZË TË QARTË LIGJORE!”, thuhet në përfundim të sqarimit.

“Ligji duhet ta mbrojë konsumatorin njësoj, pavarësisht origjinës së produktit.

NJË LIGJ, NJË STANDARD, NJË TRAJTIM PËR TË GJITHË!”, përfundon njoftimi i Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.