Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti pret shqiptarët e Luginës nga ‘Koalicioni Shqiptar’: Bashkimi s’duhet të përfundojë

Gazeta10
27 October 2026 - 14:26

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sigurimi i dy ulëseve në Parlamentin e Serbisë nga koalicioni shqiptar nuk duhet të jetë lëvizja e fundit e përbashkët e partive politike shqiptare atje. Sipas tij, bashkimi duhet të vazhdojë përmes mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve, kërkesës për barazi dhe përpjekjeve për të siguruar jetë dinjitoze në vendlindje.

Në një videopublikim në Facebook, Kurti ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve të 25 tetorit ka rëndësi përtej numrit të mandateve të fituara, duke pasur parasysh rrethanat me të cilat, sipas tij, përballen shqiptarët në Serbi.

Në këto zgjedhje, lista “Koalicioni Shqiptar” siguroi dy ulëse në Parlamentin e Serbisë. Është hera e parë në gjashtë vjet që shqiptarët përfaqësohen me më shumë se një deputet në këtë institucion.

“Rëndësia e rezultatit shqiptar i kalon numrat, sepse është arritur në rrethana të pasivizimit të adresave, mosnjohjes së diplomave, përjashtimit sistematik nga institucionet publike, diskriminimit ekonomik, emigrimit dhe zbrazjes së vendbanimeve shqiptare. Për më shumë se dy dekada, shqiptarët kanë qenë njëfarë opozite e dyfishtë. Opozitë ndaj pushtetit dhe opozitë ndaj shtetit, i cili e kishte vendosë veten në opozitë ndaj tyre”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se bashkimi politik i shqiptarëve duhet të vazhdojë edhe pas rezultatit të arritur në zgjedhjet e 25 tetorit.

“Bashkimi nuk duhet të përfundojë. Duhet ta kuptojmë që më 25 tetor, bashkimi, që është cilësi e re, e ka një kapitull të ri, që duhet të vazhdojë me mbrojtje të fuqishme të të drejtave, me kërkesën për barazi dhe në përpjekjen për jetë dinjitoze në vendlindje. Dy mandatet janë arritje e përbashkët, e mbi të gjitha, janë edhe përgjegjësi e përbashkët. Aty ku janë mundësitë më të mëdha, edhe përgjegjësia është më e madhe”, ka thënë ai.

Arritja e koalicionit shqiptar u zyrtarizua më 29 shtator në zyrën e kryeministrit të Kosovës.

Deputetët shqiptarë që do të jenë pjesë e legjislaturës së re të Parlamentit të Serbisë janë Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti.

Në të njëjtin videopublikim, Kurti ka komentuar edhe rezultatet e partive serbe, duke pretenduar se zgjedhjet shënuan humbjen politike të pasardhësve të Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit.

“Një çerekshekull më vonë, pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, edhe pasardhësit e tyre politik, Vuçiqi e Daçiqi humbën”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Aleksandar Vuçiqi, i cili e ka udhëhequr Serbinë për 12 vjet, ra nga pushteti pas humbjes nga Lista e studentëve.

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.