
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka publikuar të gjeturat nga inspektimi i kryer në Gjykatën Themelore në Pejë lidhur me rastin e Arlinda Zekaj-Sylaj, e cila u vra më 26 tetor 2026. Sipas KGJK-së, viktima kishte pasur urdhër për mbrojtje emergjente, ndërsa aktakuza ndaj bashkëshortit të saj është pranuar në gjykatë pas vrasjes.
Në komunikatën e publikuar më 28 tetor, KGJK-ja bëri të ditur se kryesuesi i Këshillit, Rrustem Thaqi, më 26 tetor kishte kërkuar urgjentisht nga Njësia për Inspektim Gjyqësor shqyrtimin e dokumentacionit dhe veprimeve të ndërmarra nga Gjykata Themelore në Pejë lidhur me rastin.
Inspektimi është realizuar më 26 tetor, ndërsa raporti përfundimtar i është dorëzuar Këshillit më 28 tetor.
Sipas raportit, Gjykata Themelore në Pejë më 7 shtator 2026 kishte pranuar kërkesën për shqiptimin e urdhrit për mbrojtje emergjente dhe po atë ditë kishte caktuar urdhrin për mbrojtjen e Arlinda Zekaj-Sylajt.
Kundër këtij aktvendimi, viktima dhe përfaqësuesi për mbrojtjen e viktimave kishin paraqitur kundërshtim lidhur me pikën që kishte të bënte me besimin e fëmijës dhe alimentacionin. Më 16 tetor, gjykata kishte vendosur në lidhje me këtë kundërshtim.
KGJK-ja thekson se, bazuar në dokumentacionin e shqyrtuar, Arlinda Zekaj-Sylaj kishte pasur urdhër mbrojtës gjatë gjithë kohës. Sipas Këshillit, të dy aktvendimet i ishin përcjellë Policisë së Kosovës për ekzekutim, në përputhje me dispozitat e tyre.
Aktakuza u pranua pas vrasjes
Një nga të dhënat e theksuara në komunikatë është se më 26 tetor, në orën 08:56, Gjykata Themelore në Pejë kishte pranuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë kundër Jeton Sylajt, bashkëshortit të viktimës.
Sipas KGJK-së, aktakuza është pranuar pas vrasjes së Arlinda Zekaj-Sylajt dhe është regjistruar menjëherë në regjistrin fizik dhe atë elektronik të gjykatës.
Në raport thuhet gjithashtu se në lëndën që kishte të bënte me urdhrin mbrojtës, palë kishin qenë Arlinda Zekaj-Sylaj dhe Jeton Sylaj. Sipas Këshillit, në asnjë nga shkresat e asaj lënde nuk ishte përfshirë Albert Sylaj, i cili në komunikatë përmendet si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes.
Viktima kishte ngritur pretendime për veprimet e gjykatës
KGJK-ja bën të ditur se më 17 shtator 2026, Arlinda Zekaj-Sylaj i ishte drejtuar kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, duke pretenduar se gjyqtari i çështjes kishte vendosur në kundërshtim me ligjin dhe jashtë afateve ligjore.
Sipas komunikatës, kryetari i gjykatës po atë ditë kishte kërkuar informacione nga gjyqtari përkatës, i cili ishte përgjigjur në kërkesën e tij.
Më 20 tetor, kryetari i gjykatës i kishte dërguar përgjigje Arlinda Zekaj-Sylajt, duke i sqaruar veprimet e ndërmarra nga gjykata lidhur me rastin.
KGJK-ja mohon se kishte pranuar kërkesë nga viktima
Në komunikatë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mohuar raportimet mediatike se kryesuesi i KGJK-së kishte pranuar kërkesë nga Arlinda Zekaj-Sylaj.
Sipas Këshillit, nga verifikimi i regjistrave fizikë, dokumentacionit të Sekretariatit dhe postës elektronike zyrtare, është konstatuar se deri më 28 tetor nuk ishte pranuar asnjë kërkesë nga viktima.
Në fund të komunikatës, KGJK-ja është zotuar se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe se nuk përjashton masa ndaj personave për të cilët konstatohet se kanë vepruar ose nuk kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.