
Komisioni për Arsim dhe Shkencë ka organizuar diskutimin me temën “Sfidat dhe prioritetet në Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës”, ku janë diskutuar problemet dhe sfidat me të cilat përballet sistemi arsimor në vend.
Kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Enver Hoxhaj, ka thënë se deri më tani nuk ka pasur një debat të mirëfilltë për strategjinë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërsa ka përmendur si çështje të rëndësishme edhe vlerësimin e nxënësve, rezultatet e PISA-s, tekstet shkollore dhe ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës.
Ai ka theksuar se cilësia e arsimit varet në masë të madhe nga përgatitja dhe puna e mësimdhënësve në klasa.
“E di që nuk ka pasur ndonjë debat të mirëfilltë se çfarë ka ndodhur me strategjinë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, se cila do të duhej të ishte, dhe ka një debat të gjerë për vlerësimin e nxënësve.Shumica e anëtarëve të këtij komisioni – që unë jam shumë i nderuar – janë pjesë e fushës së arsimit. Madje, dua të theksoj se i kemi edhe dy ish-ministra të tjerë të arsimit pjesë e kësaj fushe, drejtorë të drejtorive komunale në të kaluarën, dhe intelektualë të cilët e njohin nga brenda fushën e arsimit. Por, ne e dimë që ajo se çfarë ndodh në shkollat tona varet shumë nga sa është i zoti mësuesi në klasë, sa është i përgatitur mësimdhënësi në klasë, sa është i paguar mësuesi në klasë, dhe çfarë ndodh në procesin mësimor. Debati i gjerë është çështja e PISA-s dhe e rezultateve të PISA-s, e cila jo pse është vlerësim i jashtëm ndërkombëtar në momente të caktuara, por e cila e shpërfaq në mënyrë serioze dobësitë e fushës së arsimit. Sikurse që çështja e teksteve shkollore është një temë permanente këtu prej fillimit e deri te tema ndërlidhëse e arsimit në tregun e punës, dhe se sa shkolla përgatisin të rinjtë dhe të rejat për tregun e punës”, tha Hoxhaj.
Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, duke folur për prioritetet e strategjisë së re të arsimit, tha se edukimi në fëmijërinë e hershme do të jetë njëra nga katër shtyllat kryesore të saj.
Ai theksoi se edukimi në këtë fazë është i rëndësishëm si për zhvillimin socio-emocional të fëmijëve, ashtu edhe për ngritjen e cilësisë së arsimit në shkollat e mëvonshme.
“Meqë po flasim për arsimin parauniversitar, më lejoni që shkurtimisht të eci në ato që ne po konsiderojmë që do të jenë katër shtyllat e strategjisë së re. Po nisim me edukimin në fëmijëri të hershme. Ky edukim vlerësohet si jashtëzakonisht i suksesshëm jo vetëm për zhvillimin e aftësive socio-emocionale të fëmijëve, por edhe për ngritjen e cilësisë në shkolla. Studimet tregojnë se nxënësit të cilët kanë ndjekur çerdhet në fëmijëri të hershme, performojnë vazhdimisht më mirë se fëmijët të cilët nuk e kanë pasur këtë mundësi. Andaj, në këtë drejtim dy janë rrugët apo drejtimet të cilat do t’i kryejë ministria, një është zgjerimi i rrjetit të çerdheve publike, gjithsesi, por edhe organizimeve të tjera”, theksoi Kryeziu.