
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, pas takimit të komisionit me ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka thënë se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve dhe për kërkesat e Kosovës në proceset e rëndësishme ndërkombëtare.
Ajo ka bërë të ditur se takimi kishte karakter njoftues, pasi ambasadori Rudolph ka marrë së fundmi detyrën e tij në Kosovë dhe ky ishte takimi i parë me anëtarët e komisionit.
Sipas saj, deputetët kanë prezantuar qëndrimet e tyre lidhur me proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe kanë kërkuar që Gjermania të vazhdojë ta mbështesë vendin në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare.
Ajo ka bërë të ditur se një nga kërkesat kryesore të deputetëve ishte që Kosova të vazhdojë të jetë në agjendën e Gjermanisë dhe të ketë mbështetjen e këtij shteti në procesin e integrimit evropian, por edhe në përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.
Për më shumë shikone videon e plotë. /GAZETA10