Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Opozita akuzon për shkelje në Autoritetin e Konkurrencës, kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale

Gazeta10
03 November 2026 - 12:19

Deputetët e opozitës kanë adresuar një sërë kritikash ndaj funksionimit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, duke pretenduar për parregullsi në udhëheqjen e këtij institucioni, pamundësim të ushtrimit të mandatit të dy anëtareve dhe mosmbajtje të mbledhjeve, pavarësisht kuorumit.

Këto shqetësime janë ngritur në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku ishte paraparë raportimi i anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës për gjendjen në këtë institucion. Por raportimi u pamundësua në mungesë të deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje në mbledhje.

Kryetari i komisionit, Arben Mustafa nga PDK-ja, ka thënë se që nga maji i vitit 2025 nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Komisionit të Konkurrencës, ndonëse, sipas tij, ka pasur kuorum.

Ai ka kërkuar sqarime nga kryetarja e këtij komisioni, Binaku-Isufi, lidhur me bazën ligjore mbi të cilën dy anëtareve të emëruara nga Kuvendi u është pamundësuar ushtrimi i mandatit.

“Sipas dokumentacioneve që kemi pranuar, dy anëtareve të komisionit të emëruar nga Kuvendi i Kosovës u është pamundësuar ushtrimi i mandatit për një periudhë të gjatë kohore. Për më tepër, që nga maji i vitit 2025 nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Komisionit të Konkurrencës, pavarësisht që ka kuorum. Dhe ajo çka dëshirojmë të dimë nga kryetarja e komisionit, Binaku-Isufi, e cila është përgjegjëse, pyetja është: cila është baza ligjore mbi të cilën kryetarja ua ka pamundësuar ushtrimin e mandatit të dhënë nga Kuvendi i Kosovës dy anëtareve të komisionit? Po ashtu, një çështje tjetër është moszbatimi i vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, lidhur me drejtorin e përgjithshëm. Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës i ka dy aktakuza të ngritura, por vazhdon punën normalisht”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa anëtari tjetër në këtë komision nga Aleanca, Burim Ramadani, e ka cilësuar gjendjen në këtë institucion si alarmante, duke thënë se ekzistojnë pretendime të ndërsjella për shkelje ligjore mes anëtarëve dhe udhëheqjes së Autoritetit.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.