
Shekuj histori, sekrete dhe legjenda duket se i bëjnë disa prej rezidencave më të famshme mbretërore në Britani edhe më misterioze. Punonjës dhe vizitorë kanë rrëfyer ndër vite përvoja të pazakonta, nga shfaqje figurash fantazmë deri te zhurma të pashpjegueshme në korridore dhe dhoma të zbrazëta.
Sipas rrëfimeve, disa prej rezidencave ku kanë jetuar monarkë të famshëm, përfshirë familjen mbretërore aktuale, besohet se janë të përhumbura, shkruan Mirror.
Kështjella Windsor
Një prej kështjellave më të vjetra të banuara në botë lidhet me histori për shfaqjen e fantazmave të ish-monarkëve, si Henri VIII, Xhorxhi III dhe Elizabeta I. Kjo e fundit thuhet se është parë në bibliotekën e kështjellës, ndërsa hapat e saj dëgjohen në dyshemenë prej druri. Edhe Henri VIII raportohet se është shfaqur duke ecur me vështirësi në korridore.

Pallati Buckingham
Edhe rezidenca e famshme në Londër ka legjendat e saj. Sipas rrëfimeve, një murg që kishte humbur jetën në një manastir të dikurshëm në atë zonë endet natën në pallat. Një tjetër histori lidhet me Major John Gwynn, sekretar i mbretit Eduard VII. Punonjësit pretendohet se kanë dëgjuar disa herë një të shtënë arme nga zyra e tij, edhe pse ajo ishte bosh, transmeton Klankosova.tv.
Pallati Kensington
Ky pallat lidhet me fantazmën e Princeshës Sophia, e cila ndërroi jetë aty në vitin 1848. Punonjësit kanë pretenduar se dëgjojnë zhurmën e një rrote tjerrëse, me të cilën ajo kalonte shumë kohë gjatë jetës së saj.
Një tjetër figurë që thuhet se endet në korridore është mbreti Xhorxhi II, i cili sipas legjendës vdiq duke pritur lajme nga ushtria e tij dhe duke pyetur: “Pse nuk vijnë?”.

Sandringham
Rezidenca ku familja mbretërore kalon tradicionalisht Krishtlindjet është përfshirë gjithashtu në histori misterioze. Sipas biografit mbretëror Kenneth Rose, disa shërbëtorë refuzonin të punonin në një dhomë të pallatit, pasi pretendonin se ajo ishte e përhumbur. Madje, në vitin 2000, aty thuhet se u zhvillua edhe një shërbesë fetare për të qetësuar atmosferën.
Balmoral
Kështjella në malësitë skoceze, ku mbreti Charles kalon pushimet verore, lidhet me historinë e John Brown, shërbëtorit dhe mikut të ngushtë të mbretëreshës Victoria. Thuhet se figura e tij fantazmë është parë disa herë në korridoret e kështjellës, e veshur me kostum tradicional skocez.
Edhe pse këto histori mbeten kryesisht legjenda dhe dëshmi të pakonfirmuara, ato vazhdojnë të ushqejnë misterin rreth disa prej rezidencave më të famshme të familjes mbretërore britanike.