Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Jakaj para deputetëve: Nuk synojmë më shumë të dënuar, por më pak vendime të pazbatuara të Kushtetueses

Gazeta10
06 November 2026 - 11:52

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka prezantuar analizën “Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, përmes së cilës janë trajtuar rastet kur institucionet nuk i kanë zbatuar vendimet e kësaj Gjykate, i kanë zbatuar me vonesë apo nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Gjatë prezantimit, Jakaj ka thënë se ndonëse neni 116 i Kushtetutës përcakton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme, në praktikë ka pasur raste të moszbatimit të tyre.

Ai ka përmendur disa raste, përfshirë atë të 572 punëtorëve të Fabrikës së Çelikut në Ferizaj, rastin e Fadil Hoxhës dhe 59 qytetarëve të Prizrenit, si dhe rastet që lidhen me Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, në rastin e punëtorëve të Fabrikës së Çelikut në Ferizaj, Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim në vitin 2010, por ai nuk ishte zbatuar, ndërsa më vonë Gjykata kishte nxjerrë vendim për mospërmbarim dhe kishte njoftuar Prokurorinë e Shtetit.

“Gjykata Kushtetuese mori vendim në vitin 2010, por ai nuk u zbatua. Në fund, vetë Gjykata u detyrua të nxirrte vendim për mospërmbarim dhe ta njoftonte Prokurorinë e Shtetit”, ka thënë Jakaj.

Ai ka theksuar se moszbatimi i vendimeve nuk cenon vetëm autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, por prek edhe të drejtat e qytetarëve dhe besimin e tyre në institucionet shtetërore.

“Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk cenon vetëm autoritetin e saj, por prek drejtpërdrejt të drejtat e qytetarëve dhe dobëson besimin e tyre në institucionet e shtetit. Çfarë vlere ka një vendim në favor të një qytetari, nëse ai duhet të presë edhe dhjetë vjet për ta realizuar të drejtën e tij?”, ka deklaruar ai.

Një nga çështjet kryesore të ngritura në analizë është edhe mungesa e një dispozite të qartë në Kodin Penal për përgjegjësinë penale në rastet e moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Jakaj ka thënë se neni 394 i Kodit Penal parasheh përgjegjësi penale për mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore, por nuk i përmend shprehimisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka përmendur si shembuj Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën, ku përgjegjësia penale për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është përcaktuar shprehimisht.

“Por kur një person ka përgjegjësi për zbatimin e vendimit dhe qëllimisht, pa arsye të justifikueshme, nuk e zbaton atë, atëherë duhet të ketë përgjegjësi të qartë ligjore”, ka thënë Jakaj.

Ai ka bërë të ditur se kjo është njëra nga synimet kryesore të Nismës Legjislative Qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal.

Sipas Jakajt, nisma e cila ka nisur më 23 korrik dhe ka përfunduar më 23 tetor, ka mbledhur 12 mijë e 120 nënshkrime të qytetarëve dhe më 26 tetor është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

Nisma përmban dy propozime: përcaktimin e përgjegjësisë penale për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përgjegjësinë penale për përdorimin e parasë publike për përfitim elektoral.

Jakaj ka thënë se tani përgjegjësia për shqyrtimin e kësaj nisme i takon Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se qëllimi nuk është rritja e numrit të personave të dënuar, por shmangia e rasteve kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbeten pa u zbatuar.

“Qëllimi ynë nuk është të kemi sa më shumë njerëz të dënuar, por të kemi sa më pak vendime të Gjykatës Kushtetuese që mbeten pa u zbatuar. Sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen nga të gjithë, pa përjashtim”, ka deklaruar Jakaj.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës Vlora Çitaku, ka thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe zyrtarët publikë, pavarësisht qëndrimeve politike ndaj tyre.

Duke folur në një tryezë të mbështetur nga Ambasada Gjermane, Çitaku ka theksuar se institucionet mund të debatojnë për arsyetimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por zbatimi i tyre është obligim kushtetues.

Ajo ka thënë se Neni 116 i Kushtetutës përcakton qartë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

“Ne mund të debatojmë normalisht, publikisht për arsyetimin e një vendimi, mund të kemi mendime të ndryshme politike për pasojat e një vendimi, mirëpo detyrimin për ta zbatuar e kemi të pashmangshëm”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka përmendur edhe rastet kur PDK-ja ka kontestuar ligje në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se në shumë prej tyre janë konstatuar shkelje kushtetuese.

“Si Parti Demokratike e Kosovës, e kemi përdorur të drejtën që na jep Kushtetuta për të kontestuar disa ligje në Gjykatën Kushtetuese. Në shumë prej rasteve, gjykata ka konstatuar shkelje kushtetuese dhe ka shpallur të pavlefshme ligjet që ka miratuar shumica. Këto i konsideroj fitore politike jo vetëm për PDK-në, por për institucionet e Republikës”, ka deklaruar ajo.

Çitaku ka përmendur si shembuj ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, për të cilat Gjykata Kushtetuese ka identifikuar shkelje në disa dispozita.

Ajo ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së këtij institucioni, duke u ndalur te mënyra e emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të tij.

 

“Mënyra se si emërohen anëtarët e tij dhe kushtet në të cilat ata mund të shkarkohen përcaktojnë se sa të lirë janë ata në procesin e vendimmarrjes, dhe ne me ligj duhet t’ua mundësojmë që vendimet e tyre mos të kufizohen nga vullneti i shumicës”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka theksuar se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë standard edhe për vetë PDK-në, përfshirë rastet kur ato nuk përputhen me qëndrimet politike të partisë.

 

“Mirëpo të njëjtin standard e pranoj edhe për partinë time. Kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk i përshtatet qëndrimit politik të PDK-së, PDK-ja megjithatë e ka për detyrë ta respektojë”, ka deklaruar ajo.

Kurse Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj, ka thënë se respektimi i akteve që burojnë nga Kuvendi dhe i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për LDK-në.

Zemaj ka përmendur Deklaratën e 2 Korrikut të vitit 1990 dhe Kushtetutën e 7 Shtatorit, si akte themeltare në krijimin e shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë se gjatë periudhës së fundit ka pasur tendenca për të anashkaluar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke i zëvendësuar ato me veprime dhe vendime politike.

“Thashë në një shtet demokratik, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të shihen si rekomandime politike, po janë vendime juridikisht të detyrueshme, edhe ato duhet të mbesin, si për organet publike, ashtu edhe për organet shtetërore”, ka deklaruar Zemaj.

Zemaj ka ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ekziston një problem në aspektin e trajtimit të tyre nga Prokuroria e Shtetit.

“Edhe Gjykata Kushtetuese e ka rolin e saj që për moszbatim i referon në Prokurorinë e Shtetit, për ne kemi problem me Kodin Penal të Kosovës, sepse aty flet, neni më flet saktë për moszbatimin e vendimeve të gjyqësorit, por pjesa tjetër që ndërlidhet me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese asnjëherë nuk ka arritur që t’i gjykojë ose t’i interpretojë ose t’i procedojë ty gjykata Prokuroria e Shtetit”, ka thënë ai.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Burim Ramadani, ka thënë se mosndëshkueshmëria është kthyer në normalitet në Kosovë, duke përfshirë edhe moszbatimin e qëllimshëm të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Ramadani ka thënë se kultura politike përbëhet nga veprimet në skenën politike dhe institucionale që me kalimin e kohës normalizohen dhe merren si të pranueshme.

Ai ka përmendur shkeljet e të drejtave civile dhe qytetare, duke nisur nga konfiskimi i patentë shoferëve pa vendim gjykate, deri te moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Kultura politike është ai grumbulli i veprimeve në skenën politike e institucionale, të cilat në një farë forme normalizohen ose merren si të pranueshme. Ajo që e shohim çdo ditë e më shumë është fakti se kjo mosndëshkueshmëri është kthyer në normalitet edhe në nivele të tilla sikurse e trajton nisma jonë, por edhe në nivele të tjera që ka me bë edhe me të drejtat civile edhe të drejtat qytetare të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Ramadani.

Ai ka vlerësuar se moszbatimi i qëllimshëm i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën kulmin e cenimit të kushtetutshmërisë.

 

“Nuk është që ka filluar sot, nuk është që ka filluar dje, por tashmë ka arritur në një nivel kur interpretimi edhe diskutimi, vlerësimi politik mbi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese janë bërë më të rëndësishme sesa vetë aktgjykimi”, ka thënë Ramadani.

Në fund, Ramadani ka përshëndetur nismën e organizatorëve, duke e vlerësuar si kontribut në demokratizimin e shoqërisë dhe ruajtjen e parimeve demokratike të përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës.

Ftesë për pjesëmarrje në këtë tryezë i është dërguar edhe Lëvizjes Vetëvendosje, por asnjë përfaqësues i saj nuk ka qenë i pranishëm

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.