Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

22 kandidatë garojnë për dy vende në Kushtetuese, emrat që synojnë mandatin 9 vjeçar në këtë Gjykatë

Gazeta10
11 November 2026 - 11:56

Për dy ulëse të zbrazëta në kolegjin e Gjykatës Kushtetuese kanë aplikuar hiç më pak se 22 kandidatë.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese i ka shtatë gjyqtarë nga nëntë sa do duhej t’i kishte me ligj e Kushtetutë.

Për plotësimin e vendeve të lira, Kuvendi i Kosovës ka nisur procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve të rinj më 13.10.2026.

Komisioni i Posaçëm për nominimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, më 10.11.2026, ka shqyrtuar të 22 kandidaturat.

Për këto dy vende kanë aplikuar: Ymridin Misini, Selman Ymeri, Drilon Haraçia, Teuta Ibrahimi, Agron Behrami, Makfirete Krasniqi, Zahir Çerkini, Ramadan Gashi, Alban Muriqi, Haxhi Xhemajli, Novitet Nezaj, Shpresa Emra.

Përveç tyre, fazën e parë e kanë kaluar edhe: Asmir Sadiku, Besarta Zuka, Vjosa Gradinaj Mexhuani, Jorida Xhafaj, Rozafa Ukimeraj Çuni, Mehdi Sefa, Valbona Shala Thaqi dhe Flamur Mrasori.

Sipas informacioneve që ka Kallxo.com, kandidatja Shyhrete Shalaku-Grajaqevci nuk ka dërguar në Komisionin e Posaçëm dëshminë për përvojën e punës, ndërsa një kandidat nuk i ka plotësuar kushtet.

Testi me shkrim për këta kandidatë, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 18.11.2026 derisa më 27.11.2026 do të bëhet intervistimi me gojë.

Gjyqtarët e zgjedhur marrin mandat të njëhershëm nëntë vjeçar.

Megjithatë, në gushtin e vitit 2027 u përfundon mandati nëntë vjeçar edhe pesë qytetarëve tjerë të Gjykatës Kushtetuese.

Saktësisht kryetarit aktual Nexhmi Rexhepit dhe gjyqtarëve Bajram Latifi, Radomir Llaban, Remzije Istrefi-Peci dhe Safet Hoxha.

Së paku 3 muaj para përfundimit të mandatit të tyre do duhej të fillonin procedurat për emërimin e gjyqtarëve të rinj.

Vigan Qorrolli, kryetar i Komisionit të Posaçëm, më 13.10.2026 kishte thënë se edhe për plotësimin e atyre vendeve në Kushtetuese, procedurat do të fillojnë me kohë.

Gjykata Kushtetuese ka kuorum nëse janë së paku 7 anëtarë të pranishëm. Në rast se kjo Gjykatë mbetet me më pak se 7 anëtarë, nuk mund të marrë asnjë vendim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.