Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Çka u tha-Përmbledhje e intervistës së ish-presidentes,Vjosa Osmani mbrëmë në emisionin “ADRESA” të Kanal 10

Gazeta10
13 November 2026 - 8:17

Ish-presidentja dhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në intervistën e mbrëmshme në emisionin “ADRESA” në Kanal 10, ka trajtuar disa çështje të rëndësishme politike dhe institucionale në vend, duke kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit dhe duke ngritur shqetësime për zhvillimet në Kosovë.

Gjatë intervistës, mes tjerash Osmani foli për:

1. Shkeljet në institucione dhe raportet e Auditorit

Osmani ka deklaruar se Auditori i Përgjithshëm ka evidentuar shkelje të shumta në institucionet publike, nga niveli lokal deri te ai qendror. Sipas saj, vetëm Presidenca dhe Kuvendi kanë marrë raporte të shkëlqyera, ndërsa për institucionet e tjera janë evidentuar probleme të shumta. Ajo ka bërë të ditur se mbi 500 raste janë dërguar në Prokurori, por përgjigje ka pasur vetëm për katër ose pesë prej tyre.

2. Kritika ndaj qeverisjes së Albin Kurtit dhe gjendjes ekonomike

Osmani ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se është e pafalshme që problemet e njëjta të vazhdojnë edhe pas gjashtë vitesh. Ajo ka vënë në pikëpyetje pretendimet për rritje ekonomike, duke iu referuar inflacionit prej 8 për qind dhe rritjes ekonomike prej 3 për qind. Sipas saj, rritja e çmimeve dhe shtrenjtimi i shportës familjare po rëndojnë drejtpërdrejt qytetarët.

3. Mesazhi për presidenten e re, Justina Shiroka-Pula

Gjatë intervistës, Osmani i është drejtuar edhe presidentes së re, Justina Shiroka-Pula. Ajo ka theksuar se presidenti nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta në arsim dhe shëndetësi, përveç mundësive për të ndihmuar përmes bashkëpunimit me Qeverinë. Megjithatë, Osmani ka theksuar se pret që presidentja e re të mos tërhiqet nga udhëheqja dhe përfaqësimi i politikës së jashtme të Kosovës.

4. Paralajmërimi për rikthimin e masave të BE-së ndaj Kosovës

Një nga çështjet më të rëndësishme të intervistës ishte paralajmërimi për mundësinë e rikthimit të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Osmani ka thënë se, sipas informatave që ka marrë, në disa kryeqytete evropiane po diskutohet rikthimi i masave, në lidhje me Ligjin për Specialen. Ajo ka theksuar se ende nuk dihet nëse masat do të jenë ekonomike apo politike, ndërsa ka kundërshtuar çdo masë që do të rëndonte qytetarët për shkak të veprimeve të politikanëve.

5. Sqarimi për largimin e vajzave nga shkolla “Ismail Qemali”

Osmani ka folur edhe për largimin e vajzave të saj nga shkolla “Ismail Qemali”, duke sqaruar se vendimi ishte marrë për arsye sigurie. Sipas saj, familja kishte marrë kërcënime të shumta me vdekje dhe Policia e kishte të vështirë të garantonte sigurinë në shkollë, për shkak të disa hyrjeve të objektit. Ajo i ka quajtur shpifje raportimet se vajzat ishin larguar për shkak të kushteve të shkollës apo gjendjes së tualeteve.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.