
Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet për vdekjen e një pacienteje, gjendja shëndetësore e së cilës u përkeqësua pas trajtimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për KosovaPress se prokurorja e Departamentit për Krime të Rënda ka autorizuar Policinë e Kosovës të sigurojë raportet mjekësore dhe të intervistojë personelin shëndetësor lidhur me rastin.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për autopsi, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes dhe ndërmarrjes së mëtejshme të veprimeve ligjore”, ka deklaruar Nikçi.
Ndërkohë, QKMF-ja në Klinë ka dhënë sqarime për rrethanat e trajtimit të pacientes, duke bërë të ditur se ajo fillimisht ishte kontrolluar nga mjeku specialist infektolog, i cili i kishte përshkruar terapi me infuzion.
Sipas institucionit shëndetësor, dyshohet se pacientja kishte shfaqur reaksion alergjik pas marrjes së terapisë, ndërsa gjendja e saj ishte përkeqësuar.
Për këtë arsye, ajo ishte transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal në Pejë, e shoqëruar nga një mjek dhe një infermier.
QKMF-ja ka njoftuar se gjatë transportit ishin angazhuar edhe njësitë policore për të mundësuar kalimin më të shpejtë në trafik.
“Gjatë pjesës më të madhe të rrugës është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa në Pejë pacientja është intubuar. Megjithë masat intensive dhe terapeutike të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë”, thuhet në sqarimin e QKMF-së.
Institucioni ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me organet hetimore dhe për dorëzimin e dokumentacionit mjekësor.
Shkaku i vdekjes së pacientes ende nuk është përcaktuar, ndërsa rezultatet e autopsisë pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të rastit.