
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot do ta presë Nenad Gjuriq, i cili ishte drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës Veriore, transmeton Gazeta10.
Bëhet e ditur se Vuçiq do t’i dhurojë Gjuriqit “Urdhrin e Meritës” të Klasit të Parë për Mbrojtje dhe Siguri, i cili jepet për kryerjen mbi mesataren, shembullore dhe me nder të detyrave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjuriq, është suspenduar nga posti i tij javën e kaluar, me vendim të Qeverisë së Kosovës për shkak të sabotimit dhe thirrjes për rezistencë.
Një tjetër shkak i suspendimit të tij ishte edhe deklarata që kishte dhënë ai se policia në veri të Kosovës nuk do ta zbatojë vendimin e Qeverisë Kurti për t’i paralajmëruar serbët të cilët nuk i kanë riregjistruar veturat e tyre në targa RKS.
Pezullimi i Gjuriqit, kulmoi me pakënaqësitë e serbëve në Kosovë, ku ditën e premte mbajtën protestë në Mitrovicë.
Javën e kaluar shumica e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë Kuvendin, Policinë, Komunat dhe sistemin gjyqësor kanë dhënë dorëheqje.
Gjatë ditës së sotme, dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serb të cilët janë në KQZ./Gazeta10