
Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Podujevë, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku 2 persona janë arrestuar.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, në Podujevë, më 19 nëntor, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.
Si pasojë e dhunës, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa pas intervistimit, me vullnetin e saj, ka shkuar në shtëpinë e familjarëve. I dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në Prishtinë, dje, një grua dhe një burrë janë shoqëruar në stacionin policor, pasi dyshohet se janë përleshur fizikisht pas një mosmarrëveshjeje.
Sipas Policisë, njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dy janë liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Një tjetër rast është regjistruar në Fushë Kosovë, më 22 nëntor, rreth orës 05:00, ku një grua, shtetase e Shqipërisë, dyshohet se është sulmuar fizikisht dhe është kërcënuar me thikë nga një burrë.
Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili pas përfundimit të procedurave përkatëse është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Të 3 rastet janë iniciuar si dhunë në familje dhe po trajtohen nga organet kompetente.