
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi konsultime politike në Ankara me homologun e tij turk, Kemal Mehmet Bozay.
Me këtë rast, në fokus të diskutimeve ishin marrëveshjet që janë në proces, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, sigurisë, arsimit dhe turizmit, me synimin për avancimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Ministra e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri të ditur se konsultimet u zhvilluan në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.
“Po ashtu, është diskutuar për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe avancimin e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike.
Në këtë takim, zëvendësministrat kanë shkëmbyer pikëpamje edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në rajon dhe në nivel global, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë”, thuhet në njoftim.
Më tej vihet në pah se konsultimet kanë konfirmuar vullnetin e përbashkët për intensifikimin e dialogut politik dhe konkretizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha me rëndësi strategjike.