
Lëvizja për Bashkim ka thënë se Asociacionin i Komunave me Shumicë Serbe është i papranueshëm në secilin variant, raporton Gazeta10.
LB thuhet se situata e krijuar në veriun e Kosovës është rrjedhojë e problemeve të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë.
Më tej, thuhet se tema e targave është vetëm një shpërfaqje e këtij problemi.
Tutje, Lëvizja për Bashkim ka thënë se e mbështet në mënyrë kategorike refuzimin e Asociacionit nga ana e kryeministrit Kurti edhe pse ky kundërshtim po bëhet për arsye elektorale.
LB ka kërkuar platformë të qartë për zgjidhjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe i papranueshëm në secilin variant
Situata më e re e krijuar në veriun e Kosovës është pa dyshim rrjedhojë e çështjeve të mbetura të pazgjidhura në mes Kosovës dhe Serbisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Problemi i targave u përdor vetëm si shkas për shpërfaqjen e kësaj çështjeje të pazgjidhur. Sado që kujdesshëm po e fsheh kryeministri Albin Kurti, faktori ndërkombëtar është duke bërë presion mbi qeverinë e Kosovës për zbatim të asociacionit, si hap i parë drejt diskutimeve serioze për planin franko-gjerman.
Është më se e dukshme se Albin Kurti e refuzon kategorikisht çfarëdo asociacioni mbi baza etnike. Këtë kundërshtim të asociacionit Lëvizja për Bashkim e mbështet pa asnjë rezervë, edhe pse është e vetëdijshme për arsyet elektorale të këtij kundërshtimi nga ana e Albin Kurtit.
Ky kundërshtim mund të kthehet në bumerang nëse nuk pasohet shpejt me një platformë të qartë për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të mbetura të pazgjidhura me Serbinë. Kosova duhet të ketë platformë shtetërore (të diskutuar në baza kombëtare) për t’iu dhënë fund këtyre çështjeve të pazgjidhura, e jo të qëndrojë në pozita mbrojtëse, sepse në vazhdimësi do të përballet më tensione nga brenda e presione nga jashtë.
Lëvizja për Bashkim
Prishtinë, 9.11.2022”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook. / Gazeta10