
Për përurimin e rrugës me emrin e tij, fëmijët e të ndjerit Frank G. Wisner, erdhën në Prishtinë për të nderuar kujtimin e babait dhe për të ndarë emocionet e këtij momenti, në vendin për pavarësinë e të cilit ai luajti një rol të rëndësishëm.
E bija Sabrina Wisner ndau në një intervistë për KosovaPress disa detaje të veçantë për diplomatin amerikan dhe raportin që ai kishte me Kosovën.
“[Kosova ishte] shumë e rëndësishme [për të]. Kjo ndodhi drejt fundit të karrierës së babait tim dhe ai ishte shumë i përkushtuar që këtu të realizohej diçka e rëndësishme”, tha ajo.
Gjatë vizitave të tij në Kosovë, Wisnerin e përmbushnin shëtitjet dhe takimet me qytetarët, kurse kënaqësi të veçantë gjente edhe në shijimin e kafesë.
“Ai, pa dyshim, e donte ardhjen këtu. I donte njerëzit, udhëtimet dhe të gjithë ata me të cilët kishte mundësi të bisedonte në rrugë. I pëlqente të shëtiste dhe thjesht të dëgjonte rrëfimet e njerëzve. Kjo ishte shumë e rëndësishme për të. Gjithashtu, e donte kafenë”, tha Wisner.
Wisner besonte fuqishëm në ardhmërinë e Kosovës, teksa e bija e diplomatit, theksoi se i ati do të ishte shumë i kënaqur të shihte se sa ka përparuar vendi.
“Mendoj se do të qante. Mendoj se do të ishte shumë i emocionuar. Ai besonte shumë në ndërtimin e urave lidhëse dhe në të qenit pjesë e së ardhmes. Jo vetëm të jetuarit në të kaluarën, por gjithmonë të shikuarit përpara, drejt së ardhmes dhe të gjitha ndryshimeve që kanë ndodhur që nga koha kur ai ishte këtu, nga viti 2005 deri më 2009″ theksoi Wisner.
Në fund, Sabrina Wisner me shumë lumturi falënderoi Kosovën që nuk harroi kontributin e tij dhe e përjetësoi kujtimin për të përmes emërtimit të një rruge në lagjen “Arbëria”.
“Thjesht, faleminderit. Faleminderit që e vlerësoni kohën dhe përkushtimin e tij. Ne, si familje, besonim në punën e tij dhe ju falënderojmë që edhe ju besuat në të. E vlerësojmë shumë këtë”, theksoi ajo.
Nga viti 2005 deri më 2008, Wisner shërbeu si i dërguar i posaçëm i SHBA-së dhe përfaqësues i posaçëm i presidentit dhe sekretarit të Shtetit për statusin e Kosovës, gjatë administratës së presidentit George W. Bush.
Në këtë rol, ai punoi së bashku me të dërguarin e posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, nga Finlanda, për arritjen e marrëveshjes për statusin përfundimtar të Kosovës, proces që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Wisner vdiq më 24 shkurt, 2025 në Mill Neck, Nju Jork.