
Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë zjarri gjatë kontrollit të një automjeti në Suharekë.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 24 nëntor, rreth orës 11:45, kur patrulla e Njësisë së Rregullimit të Trafikut Rrugor, gjatë kontrollit të dokumentacionit të automjetit, ka vërejtur në kroskot një pistoletë të mbushur me 4 fishekë.
Drejtuesi i automjetit, A.M., 26-vjeçar, nuk posedonte leje për mbajtjen e armës.
Më vonë, në stacionin policor është paraqitur edhe pronari i armës, i cili posedonte leje përkatëse.
Megjithatë, me vendim të prokurorit, ndaj 26-vjeçarit është iniciuar procedurë penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Sipas njoftimit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma është sekuestruar përkohësisht.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin në luftimin e posedimit të paautorizuar të armëve dhe municionit, si dhe në garantimin e sigurisë së qytetarëve.