Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hoxhaj për vdekjen e Strobe Talbott: Kosova do ta kujtojë gjithmonë me mirënjohje

Gazeta10
27 November 2026 - 9:04

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të diplomatit amerikan Strobe Talbott, duke vlerësuar kontributin e tij në përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Hoxhaj ka theksuar se Talbott, si zëvendëssekretar i Shtetit në administratën e presidentit Bill Clinton, luajti rol kyç në diplomacinë e vitit 1999.

“Në negociatat e vështira me Rusinë, së bashku me Martti Ahtisaarin, ai ndihmoi në hapjen e rrugës drejt paqes dhe tërheqjes së forcave serbe nga Kosova”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai ka nënvizuar se mbështetja amerikane në periudhën më të rëndë për Kosovën ishte burim shprese dhe force për popullin e saj.

“Strobe Talbott ishte pjesë e asaj përpjekjeje që Kosova do ta kujtojë gjithmonë me mirënjohje”, ka deklaruar Hoxhaj.

Në fund, Hoxhaj u ka shprehur ngushëllime familjes Talbott, miqve dhe popullit amerikan, duke përfunduar me fjalët: “I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.