Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti udhëton drejt Tiranës, merr pjesë në Samitin e Planit të Rritjes

Gazeta10
27 November 2026 - 9:19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar të premten drejt Tiranës, ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, udhëtoi drejt kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve në kuadër të Planit të Rritjes”, thuhet në njoftim.

Samiti do të mbahet në Pallatin e Brigadave, me temën “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Evropës së bashku”, ndërsa në të do të marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Sipas agjendës, aktivitetet do të nisin në orën 10:00 me mbërritjen e pjesëmarrësve, ndërsa në orën 10:30 janë paraparë fjalët hyrëse të samitit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe komisionerja Marta Kos.

Në orën 12:15 do të mbahet fotografia e përbashkët e liderëve, ndërsa në orën 12:30 është planifikuar konferenca e përbashkët për shtyp e Ramës dhe Kos.

Ndërkohë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka njoftuar për mbajtjen e samitit përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka theksuar se Tirana do të mirëpresë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesen e Bashkimit Evropian për të diskutuar reformat, rritjen dhe integrimin evropian.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.