Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Sadik Zeqiri rrëfen tmerrin e masakrës në burgun e Dubravës: “E pashë që diçka po më rridhte në bark, kur e futa dorën pashë gjak”

Gazeta10
27 November 2026 - 23:56

Veterani i UÇK-së dhe analisti Sadik Zeqiri ka rikthyer kujtimet e rënda nga burgu i Dubravës, duke rrëfyer momentet e tmerrit që përjetoi gjatë masakrës së majit të vitit 1999.

Në një rrëfim tronditës në emisionin ADRESA në Kanal 10, Zeqiri ka treguar se si, pas bombardimeve të NATO-s mbi burgun, të burgosurit e kaluan natën në oborr, pa e ditur se mëngjesi do të sillte një nga momentet më të tmerrshme të jetës së tyre.

Ai ka kujtuar se më 21 maj bombardimet e NATO-s kishin vazhduar dhe të burgosurit ishin detyruar të qëndronin në oborr. Por, sipas dëshmisë së tij, në mëngjes situata mori një kthesë tragjike, kur nga pikat vrojtuese filluan të qëllonin mbi ta.

“Me datën 21 kanë vazhdu bombardimet e NATO-s, dhe na kemi flejt në oborr dhe jemi vendos në tokë edhe kemi flejt, por në mëngjes na kanë zgju nga pikat vrojtuese”, ka rrëfyer Zeqiri.

Ai ka treguar se para syve të tij po vriteshin të burgosurit, ndërsa forcat serbe qëllonin mbi ta me armë zjarri dhe bomba.

Një nga momentet më të dhimbshme të rrëfimit ishte edhe çasti kur kuptoi se ishte plagosur.

“Unë e kam parë që diçka më shkonte ujë në bark, dhe kur e kam shti dorën e pashë që doli gjaku”, ka rrëfyer Zeqiri, duke rikthyer përjetimet e tmerrshme nga ajo ditë.

Dëshmia e tij sjell edhe një herë në vëmendje masakrën e Burgut të Dubravës, ku të burgosurit shqiptarë u përballën me vrasje dhe dhunë gjatë ditëve të majit 1999, duke lënë pas një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së luftës në Kosovë.

Për më shumë shikone videon e plotë. /GAZETA10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.